Mirlinda e AKSH-it rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon heqje të masës së sigurisë

Ish drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkon heqjen e masës së sigurisë, dhënë nga GJKKO.
Shorti ka caktuar si gjyqtar të shqyrtimit të kërkesës gjyqtarin e Lartë Genti Shala.
Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur dhe u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie, bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi.
Ajo u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.
Akuzat
Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtepie”, është nën akuzë për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.