Misha Gleni: Ju rrëfej takimin me Berishën e Pashkon në korrik 90
Është ndër personazhet që ka dhënë informacionet më të rëndësishme për rënien e komunizmit në Europë, si dhe luftërat në ish-Jugosllavi. Gazetar, publicist, historian, si dhe konsulent i disa qeverive, Misha Gleni (Misha Glenny) ishte i ftuari special i Blendi Fevziut në emisionin Opinion në TV Klan.Ashtu siç është speciale historia e tij në fillim të viteve 90 në Shqipëri, ku ka takuar Ramiz Alinë, Ismail Kadarenë, Gramoz Pashkon, Sali Berishën, Fatos Nanon etj. Zoti Gleni, atëherë gazetar i BBC-së, është dëshmitar i lindjes së opozitës së parë zyrtare në vendin tonë, atëherë kur komunizmi nuk ishte rrëzuar plotësisht, por për herë të parë po dëgjoheshin zëra kritikë. Zëra, të cilat tashmë mund të duken edhe të pabesueshëm, por 20 vite më parë, e vërteta ka qenë ashtu siç e kujton në këtë intervistë vetë Misha Gleni…
FEVZIU: Z. Gleni, ju jeni kthyer përsëri këtu në Tiranë pas 20 viteve, në përvjetorin e rrëzimit të komunizmit. Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri? Kur e keni vizituar Shqipërinë për herë të parë?
MISHA GLENI: Shqipërinë e kam vizituar në maj të vitit 1990. Ndryshimet nuk kishin ndodhur ende, por atë muaj unë punoja për BBC-në. Kam bërë disa intervista të rëndësishme me pjesën më të madhe të udhëheqjes, si me Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Fatos Nanon, Ismail Kadarenë.
FEVZIU: Në maj të vitit 1990?
MISHA GLENI: Po, në maj të vitit 1990. Ata të gjithë vazhdonin të tregonin shumë kujdes, sepse komunizmi nuk ishte rrëzuar plotësisht, por për herë të parë po dëgjonim zëra kritikë. Mbaj mend në veçanti një intervistë me Gramoz Pashkon, në të cilën ai ka folur shumë seriozisht për një mundësi të zhvillimit ekonomik në vend, në një mënyrë krejt ndryshe.
FEVZIU: Kjo gjë ka ndodhur në Maj, apo është intervista me Gramoz Pashkon në fund të tetorit, kur Kadareja u largua nga Shqipëria?
MISHA GLENI: Jo, ka qenë në Maj. Ai po fliste në mënyrë të tërthortë por, ajo që po thoshte, nënkuptonte qartë se ndryshime duhet të vinin në Shqipëri. Sepse Çaushesku ishte rrëzuar para dy muajve dhe kështu të gjithë kishin filluar të përqendrohen se çdo të ndodhte në Shqipëri. Fakti që mua si korrespondent i BBC-së më ishte dhënë një vizë për të shkelur në Shqipëri në maj të vitit 1990, ishte tregues tashmë dhe unë këtu kam ardhur me një nga gazetarët e BBC-së, Laura Silberin. Pra, ishte e qartë se diçka po ndodhte.
FEVZIU: Po, sepse deri në atë kohë ka qenë e pamundur të hyje në Shqipëri. Por do të doja tju pyesja diçka. Në maj të vitit 1990, komunizmi ishte ende i fortë… Në pushtet mund të themi, jo i fortë. Ma merr mendja se ju do ti keni bërë ndonjë intervistë Kadaresë, sepse ai ishte shumë i njohur në atë kohë. Po si keni gjetur Gramoz Pashkon, Sali Berishën dhe Fatos Nanon? Cili ju ka prezantuar me ta?
MISHA GLENI: Na i prezantoi së pari Remzi Lani, kryeredaktor i gazetës Zëri i Rinisë. Dhe ai sapo kishte botuar në gazetën Zëri i Rinisë intervistën me Kadarenë, në të cilën Kadareja kritikonte disa aspekte të regjimit. Ne kishim kërkuar disa intervista me Kadarenë, Gramozin dhe Remziun dhe na u dha mundësia ti bënim ato intervista. Ishte e qartë se diçka sapo kishte nisur.
FEVZIU: Po edhe Berishën?
MISHA GLENI: Saliun e takova herën e dytë.
FEVZIU: Dhe kjo hera e dyta ka qenë në dhjetor?
MISHA GLENI: Jo, ka qenë në korrik.
FEVZIU: Në korrik. Dakord, po si e gjetët ju Sali Berishën? Ai në atë kohë ende nuk ishte bërë person aktiv.
MISHA GLENI: Jo, ai po bëhej aktiv dhe atë e kam njohur përmes Gramozit, Gramoz Pashkos. Ai po bëhej aktiv dhe dukej qartë se ishte një figurë karizmatike.
FEVZIU: Në korrik kjo gjë.
MISHA GLENI: Po, në korrik.
FEVZIU: Ju keni qenë këtu gjatë krizave në ambasada?
MISHA GLENI: Pikërisht.
FEVZIU: Dhe cila ka qenë përshtypja juaj për atë kohë? Sepse në fakt ju keni qenë një korrespondent në Ballkan.
MISHA GLENI: Tamam. Ajo që ishte e qartë në krizat e korrikut, në ambasada, ishte fakti se gjërat po dilnin jashtë kontrollit. Kështu, qeveria komuniste do të kishte një mundësi zgjedhjeje. Ose ata do të luftonin deri në fund, ose do të fillonin të përshtateshin me atë që po ndodhte, sepse kriza e korrikut do të thoshte se gjithçka po dilte sheshit, siç kishte ndodhur edhe në Rumani më parë dhe para Rumanisë në Çekosllovaki, në Hungari. Pra, e dinim se loja kishte nisur. Po se çdrejtim do të merrte ajo, do të rrëzohej apo jo komunizmi, kjo ende ishte e pavendosur dhe, siç e dimë, kaluan disa muaj të tjerë para se të luhej sheshit në fazën e parë. Po ashtu, në korrik kam shkuar në Berat. Shkova, mora miratimin dhe atje kam folur me disa punëtorë të fabrikës së tekstileve Enver Hoxha. Ata më pohuan se kishin nisur grevën për rreth një javë, një muaj para saj. Pra, kur shikon diçka të tillë si Kombinati Enver Hoxha është futur në grevë, e kupton se gjërat kanë filluar të gurgullojnë.
FEVZIU: Pra, regjimi është në fundin e tij. Por në korrik, pra herën e dytë, jo në maj. Si ishte situata në përgjithësi në Shqipëri në atë periudhë?
MISHA GLENI: Po, ishte shumë e gjallë. Njerëzit ishin më të lirshëm në të folur.
FEVZIU: Ishin ata më të hapur me ju?
MISHA GLENI: Ata ishin shumë më të hapur me mua.
FEVZIU: Brezi i ri po ashtu.
MISHA GLENI: Brezi i ri po ashtu, veçanërisht universiteti filloi të ishte qendra dhe, kur vinte puna tek kriza e ambasadave, shikoje shumë të rinj që tashmë e dinin se çpo ndodhte në lindje të Europës dhe sigurisht tashmë dihej që të gjithë po shikonin kanalet televizive italiane; Pra, e gjithë ideja se jeta në Shqipëri ishte tmerrësisht e bukur dhe se gjithë të tjerët po bënin një jetë të mjerueshme, nuk gjente më besim mes popullit dhe veçanërisht mes të rinjve. Ata tashmë donin të shihnin botën dhe po zienin nga acarimi.
FEVZIU: Në atë kohë, patët ndonjë mundësi për të intervistuar Ramiz Alinë?
MISHA GLENI: Ramiz Alinë e kam intervistuar në kontekstin e një konferencë zyrtare për shtyp. Pra, ai dha një konferencë për shtyp, që në vetvete ishte e pazakontë.
FEVZIU: Në korrik apo në tetor?
MISHA GLENI: Tashmë nuk më kujtohet.
FEVZIU: Duhet të ketë ndodhur në tetor gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit.
MISHA GLENI: Po, në tetor erdha këtu, në takimin e ministrave të Jashtëm.
FEVZIU: Çpërshtypje ju ka lënë Alia?
MISHA GLENI: Mendoja se ishte më i zgjuar seç doli. Ai e kuptoi shumë qartë se e priste një sfidë. Mendova se më në fund ai do të ecte shumë i qetë dhe do të vendoste të negocionte një rrugëdalje që do ti linte atij një farë pushteti në fund. Nuk e mendoj që ai ka luajtur rëndë.
FEVZIU: Ai humbi.
MISHA GLENI: Ai humbi gjithçka. Ai duhet të jepte dorëheqjen, partia u rrëzua.
FEVZIU: Mendoni se ai është frikësuar nga historia e Çausheskut?
MISHA GLENI: Nuk ma do mendja. Se po të kishte qenë Enver Hoxha, çështja do të ishte krejt ndryshe; Sepse Ramiz Alia ka qenë në pushtet vetëm që nga viti 1985 dhe nuk ka qenë një diktator i egër, siç mund të themi për Enver Hoxhën. Për shembull, kur fliste Enver Hoxha, të gjithë dridheshin nga frika. Ndërsa kur fliste Ramiz Alia, gjendja ishte më e shtens