Misteri i flamurit
Nuk ka dokumente të shkruara e as fotografi për këtë ngjarje, prandaj sot ekzistojnë të paktën dhjetë hipoteza për atë se kush e solli flamurin në Vlorë. Në vazhdim po i sjellim të këto dhjetë hipoteza.
E para
Në verë të vitit 1911, znj. Marigo Pozio udhëtoi drejt ishullit të Korfuzit, me pretekst se të mjekimit atje. Në ishull takoi disa nacionalistë të kolonive shqiptare, në mesin e të cilëve edhe disa përfaqësues nga SHBA të dërguar nga shoqëria patriotike Besa-Besë. Patrioti Kola, me vëllanë e tij Thoma Katundi ia dorëzuan znj. Marigo flamurin, me të cilin ajo u kthye në Vlorë, të futur nën rrobat e saj. Një vit më vonë, Marigo këtë flamur ia dhuroi Ismail Qemalit, për ta ngritur në 28 nëntor, në ballkonin e shtëpisë së Xhemal Beut.
E dyta
Shumë patriotë mendojnë se flamuri i ngritur më 28 nëntor u qëndis nga zonja Marigo, sipas modelit të shqipes së vizatuar nga Dom Mark Vasa. Këtë hipotezë e mbështet edhe zonja që punoi me Marigonë. Ndërkohë, flamuri që Marigoja e solli nga Amerika iu dorëzua Llambi Bimblit, derisa po niseshin për Korçë. Ky flamur u ngrit kur Korça deklaroi pavarësinë.
“Flamuri që bëmë ne nuk është krejt i kuq, por ka ngjyrën e specit”, kujton ndihmësja e Marigosë.
E treta
Bejlerët e Vlorës pohonin se flamurin e Pavarësisë ua dhuroi Don Aladro Kastrioti, dhe se ishin ata që ia dorëzuan flamurin Ismail Qemalit.
E katërta
Në vitet pas pavarësisë, revista ‘Hylli i Dritës’ shkruante se, derisa po vinte nga Vjena, Ismail Qemali ishte ndalur në Kotor, dhe se aty kishte marrë një flamur rreth dy metra të gjatë.
E pesta
Në autobiografinë e tij, patrioti korçar, Thoma Nasi, shkruan se, bashkë me disa patriotë të tjerë u kthye në atdhe në vitin 1911, për të luftuar kundër armikut. Sipas tij, me vete sollën edhe flamurin e parë, të cilin më 28 nëntor e ngriti Ismail Qemal, në Vlorë.
E gjashta
Sipas Spiridon Ilos, ai dhe disa patriotë të tjerë ishin nisur nga Rumania për shpalljen e pavarësisë, dhe me vete kishin marrë atë që do të shndërrohej në flamurin e parë të shtetit të pavarur shqiptar. Ky pohim dokumentohet me fjalët që Spiridoni i tha djalit të tij: “Flamurin që e përgatitëm në Bukuresht, unë e mbajta në gji deri në Vlorë, dhe pastaj, pasi e valëviti Ismail Qemali, e valëvita në parmak me sqepar”.
E shtata
Me flamurin që kishte me vete Spiridoni bujti në shtëpinë e kushërirës së tij të parë, Marigo Pozio. Marigoja i qëndisi flamurit thekët e verdha, duke e bërë ashtu si në kartolinën e vitit 1920.
E teta
Në kujtimet e tij, Eqerem bej Vlora shkruan se, flamuri që u ngrit më 28 nëntor 1912 ishte i shtëpisë së tij dhe se, pasi ia kishte dhuruar Aladro Kastrioti, flamurin e ruante në një arkë.
E nënta
Më 2001, gazet ‘Kolonja’ shkruante se: “Asim Dika ishte njeriu që mori flamurin e qëndisur nga motrat Qiriazi, dhe ia dërgoi Ismail Qemalit në Vlorë”.
E dhjeta
Në librin e tij “Patriotizma dhe Nacionalizma”, patrioti Kristo Floqi flet për flamurin e ngritur më 1912 në Vlorë. Ai paraqet të dhëna të ndryshme për origjinën e flamurit, të cilat i krahason me të dhënat e vëllait të tij, juristit Thanas Floqi.