Mitropoliti i ri i Korçës – Hirësia e tij Anastasi zgjidhet nga Sinodi i Shenjtë

Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Joanit, ka zgjedhur Mitropolitin e ri të Korçës, i cili është Episkopi i deritanishëm i Krujës, Hirësi Anastasi.
Hirësia e tij, Mitropoliti i Korçës, Anastas Mamaj, lindi në Vlorë, në vitin 1979. Ai u diplomua në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës në degën Administrim Biznes. Më vonë ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe në Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar LOGOS, ku mori diplomë në Studime Teologjike Sociale dhe Shkenca Fetare.
U hirotonis dhjakon më 22 janar 2018 nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i ndjerë Anastas, u hirotonis prift më 20 tetor 2019 dhe mori titullin e Arkimandrit më 9 gusht 2020. Nga viti 2017 deri më sot kontribuon në administrimin e pasurisë kishtare dhe aktiviteteve ekonomike të Kishës së Shqipërisë.
Është Drejtor Ekzekutiv i Institucionit Universitar “LOGOS”, përfaqësues i Kryepiskopit në Këshillin Ekzekutiv dhe anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”. Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën greke dhe italiane.
Fronëzimi i Mitropolitit të ri do të bëhet më 27 shtator 2025, në orën 11:00, në Katedralen Ngjallja e Krishtit, në Korçë. Në të njëjtën mbledhje të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është zgjedhur edhe Mitropoliti i ri i Gjirokastrës, i cili është Mitropoliti i deritanishëm i Amantias, Hirësi Nathanaili.
Para zgjedhjes së Mitropolitit të ri të Korçës, ky institucion është mbikëqyrur nga vetë Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Imzot Joani, i cili ka shërbyer për 27 vite me radhë në këtë mitropoli.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/