Mitsotakis e ftoi për darkë me liderët e Ballkanit–BE, Begaj: Keqardhje, nuk do marr pjesë

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur keqardhje që nuk do të marrë pjesë në darkën informale të thirrur nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Duke iu përgjigjur interesimit të medieve, Presidenca njoftoi se ftesa për takimin e 21 gushtit me kreun e qeverisë greke i ka mbërritur prej datës 14 gusht.
“Një ditë më pas, më 15 gusht 2023, Presidenti Begaj në përgjigjen e dërguar, pasi vlerësoi vëmendjen që Kryeministri grek Mitsotakis i kushton zhvillimeve të lidhura me sigurinë e Europës, shprehu gjithashtu keqardhjen për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët,” njoftoi Presidenca.
Në takimin e liderëve të Ballkanit në Athinë, të pranishëm do të jenë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe presidenti i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo.
“Shqipëria, e ftuar në nivel presidenti, nuk do të përfaqësohet,” shkruan më herët mediet greke.
Darka në selinë kryeministrore në Athinë mësohet se organizohet në kuadër të zgjerimit dhe të ardhmes europiane të rajonit. Për kryeministrin grek, Mitsotakis, synimi mbetet stabiliteti, paqja dhe siguria energjetike e Ballkanit dhe Europës Juglindore.
Mediet greke bëjnë me dije se ftesës së Mitsotakis i janë përgjigjur pozitivisht Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.
/rtsh.al/