Mjekët e vdekur në lista, Ministria e Shëndetësisë hesht
Të kontaktuar disa herë nga gazeta, ata nuk japin një përgjigje për çështjen
Një ditë pas publikimit në gazetën “Shqip” të skandalit, ku mjekë të vdekur figuronin në listat e profesionistëve që duhet të ricertifikohen në muajin tetor të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë nuk ka një reagim. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, këshilltari për median në Ministrinë e Shëndetësisë, Thanas Goga, nuk ka dhënë një përgjigje. Gjithashtu, e kontaktuar nga gazeta edhe drejtoresha e QKEV-së, Entela Shehu, nuk është përgjigjur. Përballë kësaj heshtjeje, gazeta i ka nisur një email zyrtar specialistes së kësaj ministrie Aida Hasmeta, e cila bëri me dije se e ka përcjellë email-in te drejtoresha e QKEV-së Shehu, por nuk dihet se kur mund të kemi një përgjigje për çështjen. Në email thuhet: “Në listat e mjekëve me zero kredite ka edhe mjekë që kanë vdekur apo që janë jashtë vendit. Këtë e ka thënë vetë presidenti i Urdhrit të Mjekut pas verifikimit të listës. 1. A janë verifikuar ndonjëherë këto lista nga institucionet tuaja? 2. Sa i besueshëm është cikli i edukimit në vazhdim? 3. Çfarë masash do të merren?” Emrat e personave të ndarë nga jeta mësohet se gjenden pikërisht në listën prej 200 mjekësh, që nuk arritën të mbledhin asnjë kreditet, e cila u përgatit nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), por që nuk u bë asnjëherë publike, për shkak të ruajtjes së etikës profesionale dhe imazhit të mjekut. Të gjithë mjekët e listuar nuk kanë plotësuar detyrimet e tyre, çka do të thotë se gjatë pesë viteve të ciklit të edukimit duhet të merrnin 150 kredite. Mirëpo, pas llogaritjeve të bëra nga QKEV-ja në fund të ciklit pesëvjeçar, ka rezultuar se nuk kanë përmbushur detyrimin dhe vendimi i marrë nga Ministria e Shëndetësisë ishte shpallje e vendit të punës vakant dhe heqje e licencës. Për të mbajtur vendin e punës, këta mjekë duhet të futen në provim, pasi në të kundërt nuk lejohet të ushtrojnë profesionin. Provimi i ricertifikimit të mjekëve me zero kredite është parashikuar në rregulloren e testimit.
Ky shkrim Mjekët e vdekur në lista, Ministria e Shëndetësisë hesht u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.