Mjekët, shtesë page për ata që punojnë me agjentë kimikë-biologjikë
Firmoset kontrata mes Sindikatës së Mjekëve dhe Institutit të Sigurimeve
Instituti i Sigurimeve Shëndetësore dhe sindikata e mjekëve kanë nënshkruar dje kontratën për të drejtat dhe detyrimet mes palëve.
Sipas rregullave të reja, mjekët që punojnë me agjentë kimikë biologjikë do të marrin më shumë para se të tjerët, duke qenë se janë të ekspozuar ndaj faktorëve që shkaktojnë dëme në organizëm.
Po ashtu, mjekët në bazë të punës së tyre do të marrin dy paga shtesë në vit, dhe kjo parashikohet në kontratë.
Lidhur me mbrojtjen në punë, në kontratën e firmosur mes dy palëve, parashikohet shpërblim shtesë në rastin kur punëmarrësi është i ekspozuar ndaj agjentëve kimikë, biologjikë që shkaktojnë dëme në organizëm.
Kontrata kolektive e punës e nënshkruar dje mes palëve, parashikon shpërblimin vjetor të mjekëve të familjes, duke e lidhur me performancën në punë të personelit shëndetësor.
Është vendosur që çdo mjek familjeje do të përfitojë deri në 2 paga mujore, por kjo do të bëhet në varësi të rezultatit financiar të institucionit, rezultat ky që lidhet direkt me punën e mjekut. Aktualisht, ISKSH mat performancën dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve, në bazë të së cilës realizohet edhe pagesa shtesë për mjekët. Në kontratë ka gjithashtu edhe detyrime dhe sanksione bazuar në ligjet në fuqi.
Punëmarrësi është i detyruar të zbatojë rregulloren e brendshme të institucionit, të respektojë disiplinën në punë dhe në rast të shkeljes së rregullave merren masa që nisin me këshillim, vërejtje, zbritje në detyrë, ndalesë në pagesën e një 15-ditëshi, mospërfitim nga rritja e pagës deri në 1 vit e deri në largim nga puna. Në kontratë përfshihet gjithashtu pushimi vjetor i cili është jo më pak se 4 javë, ndërsa norma javore e punës është 40 orë. Puna e kryer në ditët e pushimit, ditën e diel dhe festat zyrtare, kompensohet me shtesë page, sipas legjislacionit në fuqi. Lorina Mixha
Mjekët, shtesë page për ata që punojnë me agjentë kimikë-biologjikë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip