E Diel, 1 Nëntor 2026

Mlladiç, nisin procedurat për dërgim në gjykatën e Hagës

Pas arrestimit gjenerali serb Ratko Mlladiç, u përball menjëherë me një seancë dëgjimore në gjykatën e Beogradit në lidhje me ekstradimin e tij drejt gjykatës ndërkombëtare të krimeve të Luftës, në Hagë, procedurë që pritet të zgjasë një javë.

Ministri serb i Drejtësisë, Slobodan Homen deklaroi se vendi i tij do iu përmbahet procedurave ligjore deri në ekstradimin fizik të Mlladiç në Hagë. Megjithatë, ai do të duhet të marrë edhe miratimin e mjekëve, pasi ka shfaqur probleme fizike e mentale.

Gjatë marrjes së parë në pyetje, gjenerali nuk është shfaqur në gjendje për të komunikuar në mënyrë korrekte. Sot pritet të ketë një tjetër tentativë marrjeje në pyetje.
 

Mlladiç përballet me 15 akuza, të cilat përfshijnë genocid, krime kundër njerëzimit dhe thyerjen e ligjeve të luftës në Bosnje- Hercegovinë në periudhën mes prillit 1992 dhe korrikut 1995.

Arrestime të kësaj natyre në të kaluarën kanë provokuar zemërim në radhët e nacionalistëve serbë. Por, ministri i Drejtësisë, Homen beson se këtë radhë gjithçka do të kalojë në mënyrë paqësore. Gjithsesi, ai paralajmëron se mesazhi i autoriteteve në rast të kundërt është mjaft i qartë, të gjithë ata që thyejnë ligjin, do të dalin përgjegjës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›