Moment historik në Vatikan, Mbreti Charles dhe Papa Leone luten krah për krah në Kapelën Sistine

Një skenë e rrallë u zhvillua në Kapelën Sistine, ku Mbreti Charles dhe Papa Leone u lutën së bashku, duke shënuar një moment historik për marrëdhëniet mes Kishës së Anglisë dhe Kishës Katolike.
Kur Papa Leone tha “Le të lutemi”, të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe Mbretin, iu bashkuan lutjes, duke simbolizuar mbylljen e një hendeku që kishte nisur që prej Reformës Protestante në shekullin e 16-të, kur mbreti Henry VIII u shkëput nga Roma.
Në këtë ceremoni të veçantë, koret katolike dhe anglikane kënduan së bashku nga e njëjta fletë himne, duke krijuar një atmosferë të mbushur me harmoni dhe unitet. Dikur të ndara nga armiqësitë historike, dy kishat u shfaqën si miq të ngushtë.
Takimi u zhvillua në zemër të Vatikanit, mes kryeveprave të Rilindjes, duke e kthyer këtë moment në një simbol të qytetërimit perëndimor dhe bashkëpunimit ndërfetar.
Për Pallatin Buckingham, kjo ishte kulmi i një vizite shtetërore që ishte shtyrë më herët për shkak të gjendjes shëndetësore të Papa Françeskut, dhe që tani përmbushi një qëllim historik: forcimin e lidhjeve mes dy kishave.
/rtsh.al/