Momentet e fundit të Papa Françeskut, si u përkeqësua gjendja e tij para vdekjes

Papa Françesku ndërroi jetë pak më shumë se gjysmë ore pasi u sëmur, thanë burimet e Vatikanit për Sky News.
Papa Françesku u zgjua në orën 6 të mëngjesit të së hënës dhe ishte mirë për të paktën një orë, thanë burimet, teksa zbuluan detaje të momenteve të fundit të Papës.
Rreth orës 7 të mëngjesit, njësia mjekësore e Vatikanit mori një telefonatë urgjente nga apartamenti i tij në Casa Santa Marta.
Françesku ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, një ditë pasi bëri daljen e tij të fundit publike në sheshin e Shën Pjetrit, ku ai përshëndeti turmat të dielën e Pashkëve, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë.
Vatikani tha se ai vdiq nga një goditje që çoi në një koma dhe dështim të pakthyeshëm të zemrës.
Papa Françeskut do t’i jepet lamtumira e fundit, ndërsa trupi i tij po qëndron në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku pritet të ketë dyndje të besimtarëve pritet të dynden për të bërë nderimet e tyre.
Ceremonia do të bëhet jashtë, në sheshin përballë Bazilikës së Shën Pjetrit dhe do të fillojë me një procesion të udhëhequr nga një prift që mban një kryq, e ndjekur nga arkivoli dhe klerikët e shuguruar dhe për t’u varrosur më pas jashtë Vatikanit.
Kardinali Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve, do të drejtojë shërbimin. Më pas fillojnë nëntë ditë zie. Ndryshe nga paraardhësit e tij, Françesku do të varroset në Bazilikën e Santa Maria Maggiore (St Mary Major), sipas dëshirës së tij përfundimtare të varrimit, të njoftuar të hënën.
Bazilika i kushtohet Marisë, Nënës së Jezusit, dhe është vendi ku Françesku shkonte tradicionalisht për t’u lutur para dhe pas udhëtimeve të huaja.
Ai do të jetë Papa i parë që do të varroset jashtë Vatikanit në më shumë se një shekull. Në një ndryshim tjetër nga tradita, ai do të varroset në një arkivol të thjeshtë prej druri, duke hequr dorë nga praktika shekullore e varrosjes së papës së ndjerë në tre arkivole të ndërlidhura prej selvi, plumbi dhe lisi.
Kardinalët do të mblidhen në një konklavë për të zgjedhur pasardhësin e tij më pas. Françesku ishte Papa i parë jezuit i Amerikës Latine, i cili kishte vuajtur nga një sëmundje kronike e mushkërive dhe kishte hequr një pjesë të një mushkërie kur ishte i ri.
Problemet shëndetësore e munduan atë gjatë gjithë jetës së tij të mëvonshme dhe ai u shtrua në spitalin Gemelli në Romë më 14 shkurt si pasojë e një krize të frymëmarrjes që u zhvillua në pneumoni të dyfishtë. Ai qëndroi në spital për 38 ditë para se të rikthehej, ndërsa ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.
/rtsh.al/