Monitorim me dronë edukues, Policia Rrugore gjobit 589 shoferë

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Policia Rrugore ka kryer kontrolle me mjete inteligjente shpejtësimatës dhe me dronë edukues, në të gjithë territorin e vendit.
Policia bën me dije se përgjatë javës që lamë pas, si rezultat i monitorimeve intensive nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore janë konstatuar shkelje të shumta, që janë burim potencial për përfshirje në aksidente rrugore.
“Si rezultat i monitorimit me dronë edukues, janë evidentuar, 589 drejtues automjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 3 000 deri në 10 000 lekë të rinj”, njofton Policia.
Po ashtu Policia bën me dije se janë evidentuar dhe ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara me masë plotësuese pezullim të lejes së drejtimit 274 drejtues automjetesh, shpejtësi që varionin 40 deri në 120 km/h mbi normën e lejuar.
“356 drejtues automjetesh që përdorin aparatin celular në akset rrugore nacionale dhe 371 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur rripin e sigurimit”, njofton Policia.
Sipas Policisë janë vendosur 122 masa administrative për mosvendosje të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjeteve, 89 masa për xhama të errësuar dhe 145 masa për mosdhënie përparësi këmbësorëve.
“Janë evidentuar 78 drejtues mjetesh me disa shkelje, shpejtësi mbi normën e lejuar, pa vendosur rripin e sigurimit dhe duke përdorur celularin gjatë drejtimit të automjetit”, njofton Policia.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe t’iu japin përparësi këmbësorëve.
“Të gjitha akset rrugore nacionale dhe urbane monitorohen me mjete inteligjente 24/7”, njofton Policia Rrugore.
/r.e/