E Diel, 1 Nëntor 2026

Monitorime në vijën bregliqenore të Pogradecit për respektimin e hapësirave publike

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Në vijën bregliqenore të Pogradecit, çdo ditë, vijon puna në terren e inspektorëve të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, për garantimin e administrimit të rregullt të vijës bregdetare dhe mbrojtjen e hapësirave të plazheve publike.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli në rrjetet sociale, fotografi nga vija bregliqenore në Pogradec, ku kryhen monitorime të vazhdueshme në terren për garantimin e zbatimit të kontratave dhe administrimin e rregullt të hapësirave publike.

Gonxhja tha se “gjatë inspektimit u bë lirimi i çadrave të vendosura jashtë sipërfaqes së miratuar, gjithashtu u mor dhe masë administrative “Paralajmërim”, për subjektet shkelëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

“Hapësirat publike janë për të gjithë. Respektimi i rregullave garanton një bregdet dhe vijë bregliqenore të mirëmenaxhuar për qytetarët dhe vizitorët”, tha Gonxhja.

Me herët, ministri Gonxhja ka bërë të ditur se, monitorimet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror. Hapësirat publike në bregdet mbeten një nga prioritetet e menaxhimit të sezonit turistik, duke synuar që qytetarët të kenë akses të lirë në vijën ranore dhe një përvojë sa më cilësore gjatë pushimeve verore.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›