Monitorimi i 14 majit, Celibashi pret në takim shefen e misionit ODHIR: KQZ garanton transparencë të plotë

Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Audrey Glover ndodhet në Tiranë për monitorimin e zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Glover nisi takimet nga Komisioni Qendror i Zgjedhave, ku u takua me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi. Në fokus të diskutimeve të tyre ishte pikërisht monitorimi i zgjedhjeve vendore të 14 majit përmes grupeve të vëzhguesve që pritet të vijnë më vonë në vend dhe mbajtja e tyre për të siguruar që procesi do të jetë demokratik dhe i qetë.
Gjatë takimit, Celibashi garantoi se KQZ do të ketë transparencë të plotë dhe do të zbatojë me përpikmëri ligjin.
Vetë ambasadorja Glover vlerësoi informacionin paraprak, prezantoi planet për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe nënvizoi rëndësinë e këtij procesi zgjedhor për Shqipërinë
“Mikpritëm sot në KQZ Shqipëri, Shefen e Misionit të OSBE-ODIHR, Ambasadoren Audrey Glover dhe ekipin e saj, të cilët i njohëm me përgatitjet e zgjedhjeve vendore 14 Maj 2023, si edhe sfidat e deritanishme. Me ekipin e OSBE/ODIHR, theksova se garantojmë transparencën e plotë të KQZ dhe zbatimin strikt të ligjshmërisë. Ambasadorja Glover vlerësoi informacionin paraprak, prezantoi planet për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe nënvizoi rëndësinë e këtij procesi zgjedhor për Shqipërinë”, shkruan Celibashi.
Audrey Glover ka monitoruar disa palë zgjedhjeve në Shqipëri si drejtuese e misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it. Zgjedhjet e para që monitoroi kanë qenë ato të vitit 1996 kur kryesonte misionin afatgjatë të vëzhgimit.
Misioni i ODIHR në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 14 majit do të përbëhet nga 324 vëzhgues.
/rtsh.al/