E Enjte, 5 Nëntor 2026

Monitorimi i zinxhirit furnizues të karburanteve, Malaj në zonën e lirë doganore në Porto Romano

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një vizitë pune në zonën e lirë doganore në Porto Romano, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli.

Qëllimi i kësaj vizite ishte inspektimi në terren i zbatimit të Planit Operacional të monitorimit të zinxhirit furnizues të karburanteve, që nga importi, depozitat në zonën e lirë doganore, shitjes me shumicë dhe shitjen në pikat e furnizimit me pakicë. Ky plan operacional po zbatohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në mënyrë të koordinuar për 24 orë në ditë.

Ministri i Financave theksoi rëndësinë e monitorimit të zinxhirit furnizues të karburanteve dhe kërkoi angazhimin maksimal të tre institucioneve për zbatimin e masave të parashikuara në Planin Operacional.

“Do të kërkoja një vëmendje maksimale dhe angazhim maksimal nga të gjitha strukturat, pra Doganat, Tatimet, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në zbatim të Planit të Masave që ne kemi ndërmarrë. Është shumë e rëndësishme ndërveprimi dhe sinergjia që krijoni midis të gjitha strukturave për të garantuar mbarëvajtjen e të gjithë procesit që jemi duke implementuar”, – u shpreh ministri Malaj.

Në mënyrë të veçantë, Malaj falënderoi Policinë e Shtetit për bashkëveprimin e ngushtë me Administratën Doganore dhe Tatimore, për shkëmbimin dhe trajtimin e informacionit, për kontrollin e veprimtarisë së importit, eksportit, prodhimit, depozitimit, transportimit dhe tregtimit të hidrokarbureve.

Dretori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli tha se plani operacional midis 3 institucioneve, strukturave të Tatimeve, Doganave e Policisë së Shtetit po funksionon shumë mirë.

“Kemi mbikëqyrje 24/7 të zonës brenda territorit, gjithashtu dhe perimetrit jashtë territorit nga strukturat e departamentit operativ hetimor dhe nga Dogana Durrës. Përveç strukturës tonë që është 24 orë në funksion të këtij plani operacional kemi dhe kamerat e ambientit, janë 70 kamera që mbulojnë të gjithë perimetrin. Gjithashtu përveç mbikëqyrjes në terren kemi dhe sistemin Asycuda, sikurse dhe sistemin E-tax të Tatimeve. Ndërveprimi në kohë reale na jep mundësi që të shohim dhe të parandalojmë çdo veprimtari të mundshme në tentacion për të shkelur ligjin, apo evazion fiskal. Pra përveç kontrollit fiskal, bëjmë dhe kontrolle nëpër sisteme për të parë ndërveprimin me faturat tona,” u Gazheli.

Nga ana tjetër, ai shtoi se konsumi i karburanteve për 7-mujorin e parë të vitit është rritur, ndërsa deri në fund të vitit kjo shifër pritet të arrijë në 700 mijë ton.

“Trendi pozitiv i rritjes së konsumit të karburanteve po vijon edhe në muajin gusht pasi dhe 7-mujori u mbyll me rezultate shumë të mira, por gushti bën specifikën e veçantë për shkak edhe të rritjes eksponenciale të turizmit në këtë periudhë shumë të nxehtë vere, kështu që patjetër ka dhënë ndikimin e vet dhe besoj që ne do ta mbyllim vitin me një sasi rekord prej 700 mijë ton konsumi të karburantit për vitin 2024,” deklaroi më tej drejtori i Doganave.

Monitorimi i zinxhirit furnizues të karburanteve, përveç kontrollit në terren, bëhet edhe nëpërmjet kryqëzimit të të dhënave mes sistemeve doganore dhe atyre tatimore, si Asycuda dhe E-tax, në mënyrë që të evidentohet çdo shkelje e mundshme dhe të merren masat ligjore për çdo rast.

Importi dhe konsumi i karburanteve ka vijuar ecurinë pozitive gjatë muajit gusht. Për periudhën 7 mujore të vitit 2024 konsumi i karburanteve arriti në 381,083 tonë me rritje rreth 20 mijë tonë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

1 nga 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›