Monografia për dëshmorët promovohet në Shkup
Ky libër së shpejti pritet të përkthehet dhe vendoset edhe në bibliotekat e shteteve me renome të botës, është thënë në promovimin ekskluziv të organizuar për publikun nga Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë, në ambientet e këtij institucioni të mirënjohur. Ndërkaq, një promovim i këtij libri u mbajt edhe në librarinë ‘Çarshia’, në komunën e Çairit, ku pati qindra pjesëmarrës dhe referues për librin.
Autori Mustafa ka treguar për fillimin, krijimin dhe botimin e monografisë ‘Bardhësitë e Atdheut’, i pari dhe i vetmi rrëfim dokumentues dhe faktografik për të gjithë dëshmorët e të tri UÇK-ve në Kosovë, Kosovë Lindore dhe në Maqedoni. Ai ka treguar se për krijimin dhe botimin e monografisë i janë dashur plot tetë vjet e gjysmë punë e pandalshme dhe e vazhdueshme hulumtuese dhe dokumentuese. Ai ka thënë se është shumë krenar që ka pasur fatin të takojë dhe të bashkëveprojë edhe me dhjetëra luftëtarë, të cilët në luftë dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe për lirinë shqiptare.