E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moore vizite urgjente ne Tirane

Kriza politike ku është futur Shqipëria pas zëvëndësimit të anëtarit të KQZ-së, ka detyruar Departamentin Amerikan të Shtetit, të sjellë në mënyrë urgjente në Tiranë, ndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit për Euroazinë Jonathan Moore, i cili i ka nisur takimet me kreun e opozitës Edi Rama. Takimi ka zgjatur 50 minuta por Moore nuk ka preferuar të japë asnjë detaj se cfarë ishte biseduar.

Edi Rama pas largimit të Moore nga selia e PS dha këtë prononcim rreth takimit: "Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh, lidhur me gjendjen paraelektorale, duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të KQZ-së dhe praktikisht rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri". Kryesocialisti Rama komentoi dorëheqjen e Denar Bibes nga posti i zëvendëskryetarit të KQZ-se. "Unë ushqej respekt të plotë për Denar Bibën. Me aktin e tij ka afirmuar të gjithë integritetin moral dhe profesional në kundërshtim të hapur me cënimin flagrant të integritetit moral dhe profesional të KQZ-së dhe të anëtarëve të KQZ-së", thotë Rama. Por kush dhe si do të zëvëndësohet vendi i lënë bosh nga Denar Biba? "Këtu nuk flasim për zëvendësime personash, por për rikthim në ligjshmëri të KQZ-së", tha Rama.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›