Mori pjesë në gjyqin e Fredi Belerit, goditet me vezë Vangjel Dule. Policia vihet në kërkim të autorit

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule është goditur me vezë nga një qytetar teksa ka qenë duke hyrë në seancën gjyqësore që u zhvillua ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.
Dule është goditur përpara godinës së Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ndërsa policia është vendosur në kërkim të autorëve.
Ky veprim ndaj Dules vjen pasi ky i fundit mori pjesë në seancën gjyqësore të radhës të zhvilluar ndaj Fredi Belerit të cilit i ka dalë në krah teksa ai akuzohet për blerje të votave në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Gjykata e Posaçme nuk e ka lejuar Fredi Belerit të betohet si kryebashkiak, ndërsa ai mundi të ishte i pranishëm në varrimin e nënës së tij pak javë më parë nën masa të rrepta policie. Më herët, Dule i pati cilësuar veprimet e GJKKO-së si të orientuara nga kryeministri Rama.
“Sapo u komunikua një vendim i paralajmëruar. Kreu i vendit, Rama, i parapriu javën e kaluar vendimit të gjykatës. Është për të shprehur keqardhjen për Republikën dhe drejtësinë tonë”, u shpreh Dule një muaj më parë.
Nga ana e tij, në seancat gjyqësore Fredi Beleri ka pretenduar se ndaj tij po bëhet padrejtësi. Në deklaratën e tij para gjykatës, Beleri ka theksuar se “ndaj meje po bëhet një padrejtësi për interesa politike dhe financiare”
Sipas Belerit, gjykata po dëmton atë dhe familjen e tij. Ndërsa ka nënvizuar se po mbahen në qëndrime armiqësore.
/rtsh.al/