Morsi: Kryeprokurori të mbetet në detyrë

Presidenti i Egjiptit Muhamed Morsi ka rënë dakort që kryeprokurori i epokës së Mubarakut të qëndrojë në detyrë.
Zëdhënësit e Morsit dhe të Prokurorit të Përgjithshëm Abdel Maguid Mahmoud konfirmuan arritjen e një marrëveshjeje në Kajro.
Mahmoud është kthyer më herët në punë, i përcjellë nga gjykatës dhe avokatë duke sfiduar kështu një urdhër të presidentit islamik të vendit.
Tensionet mes prokurorit dhe presidentit janë rritur, pasi pjesëtarë të Vëllazërisë Myslimane, të cilët e mbështesin Morsin, e kanë akuzuar prokurorin se nuk ka paraqitur prova të forta në procesin gjyqësor kundër zyrtarëve të epokës së Mubarakut.
Ndërkohë, mijëra mbështetës dhe kundërshtarë të presidentit të Egjiptit u përleshën të premten në sheshin Tahrir të Kajros.