“Mos dilni në det”, Porti i Vlorës ndalon lundrimin e mjeteve të vogla për shkak të motit të keq

Autoriteti portual i Vlorës ju ka bërë thirrje të gjithë anijeve të vogla të lundrimit që të mos dalin në det ditën e nesërme për shkak të motit të keq.
Në njoftim thuhet se gjatë ditës së enjte pritet përkeqësim i motit ku do të ketë rrebeshe dhe erë të fortë ç’ka do të sjellë rritje të nivelit të dallgëve.
Për të parandaluar çdo të papritur, kapiteneria e portit bën thirrje të gjithë lundruesit që të bëjnë kujdes.
Njoftim i Portit Vlorë:
Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësuara gjatë datave 03-04.10.2024 !
Nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji, nis pagesa 68 mln euro për kompaninë offshore të TEC-ve lundruese
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 03-04.10.2024 duke filluar nga ora 02:00 datë 03.10.2024 në drejtimin JUG-JUG-LINDJE, në forcën deri 7-8bft me shpejtësi ere deri 20-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra, me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
1.Të ndalohet paisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 22:00 datë 02.10.2024.
2.Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
3.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 18:00 të datës 04.10.2024.