Moska zyrtare reagon pas vendimit për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së: I paligjshëm!

Moska zyrtare e ka cilësuar vendimin e pezullimit të Rusisë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së, “të paligjshëm dhe të motivuar politikisht”.
“Na vjen keq për këtë. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat tona me të gjitha mjetet ligjore”, tha zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut, gjatë një votimi që u mbajt sot në Nju Jork.
Rusia u pezullua për shkak për shkak të raporteve për “shkelje dhe abuzime të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut” nga ushtria ruse në Ukrainë.
93 vende votuan pro pezullimit të Rusisë, 24 vende votuan kundër, ndërsa 58 vende abstenuan. Para se të niste votimi, ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, akuzoi Rusinë për abuzime “të tmerrshme”, duke iu referuar vrasjeve të civilëve në qytetin e Bucha.