Moti i keq dëme në rrjetin elektrik, 2300 punonjës në terren

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Prej 48 orësh vendi ynë është pushtuar nga moti i keq, duke shkaktuar dëme të shumta në rrjetin elektrik, sidomos në zona rurale ku përcjellësit janë ajrorë dhe kalojnë në terrene të vështira.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, (OSSH) bën të ditur se ka ngritur nivelin më të lartë të gatishmërisë, duke angazhuar në të gjithë vendin 2300 punonjës terreni dhe operatorë nënstacionesh.
Operacionet për riparimin e avarive të shkaktuara nga moti i keq në disa zona të vendit po kryhen në koordinim me shtabin qendror të OSSH, e cila po ndjek me vëmendje situatën e krijuar.
“Koha e riparimit të dëmtimit të rrjetit elektrik varet nga kushtet e motit, ku në disa rajone të Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës, apo në rrethinat e Tiranës, ndërhyrja në terren bëhet sfiduese për elektricistët tanë, të cilët ndodhen ende në punë. Në raport me mesditën, aktualisht në mbrëmje kemi një përmirësim të lehtë të situatës të furnizimit me energji elektrike”, bën të ditur OSSH.
OSSH, pjesë e OSHEE Group, thotë se është e vendosur të qëndrojë në gatishmëri të plotë deri në rikthimin e energjisë elektrike tek të gjithë abonentët. /j.p/
1 nga 9