E Martë, 3 Nëntor 2026

Moti i keq përfshin Evropën, Suedia regjistron temperaturat më të ulëta në 130 vitet e fundit

Suedia regjistroi temperaturat më të ulëta të mërkurën që kanë arritur në minus 43, 6 gradë Celsius në veri të vendit. Ky është rekordi më i ulët që nga fillimi i matjeve të temperaturave në vitin 1888 në stacionin meteorologjik të vendit skandinav.

I ftohti ekstrem ka çuar në anulimin e linjave të autobusëve dhe trenave në shumë pjesë të Suedisë. Edhe në Suedinë jugore është shënuar mot i paqëndrueshëm me erëra të forta, reshje shiu dhe bore.

Në zonën e Stokholmit për arsye sigurie është ndaluar qarkullimi I trenave elektrikë, pasi nëse ndodh të  ndërpritet energjia gjatë kohës që linja hekurudhore është në punë, pasagjerët rrezikojnë të ngrijnë brenda vagonëve pa ngrohje.

Instituti Meteorologjik suedez lëshoi paralajmërime për mot ekstrem në pjesët lindore dhe jugore të këtij vendi. Një stuhi dëbore ka goditur edhe Danimarkën. Parashikimet thonë se deri në 70 centimetra borë pritet të bien në disa pjesë të vendit. Paralajmërimet për reshje të dendura shiu kanë shtuar rreziqet për përmbytje në këtë vend.

Edhe kryeqyteti i Finlandës, Helsinki ka regjistruar temperatura deri në minus 15 gradë Celsius. Ndërkohë në Gjermaninë veriore, situata mbetet e rënduar për shkak të përmbytjeve veçanërisht në Saksoninë e Poshtme.

Ndërsa në Francën veriore dhe perëndimore 8 departamente janë ende në alarm nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut erërat e forta. Paralajmërime dhe alarme për përmbytje janë dhënë edhe në Anglinë Juglindore.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›