Moti i ngrohtë, pushuesit zgjedhin bregdetin e Durrësit

TIRANË, 26 prill /ATSH/ Qyteti bregdetar i Durrësit vijon të jetë një ndër të preferuarit e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bregdetin.
Kryeministri Edi Rama, ndau sot ndau sot pamje nga hapësirat relaksuese në plazhet e Durrësit, të cilat po frekuentohen nga qytetarë të shumtë në këto ditë të ngrohta pranvere.
E gjithë vija bregdetare e Durrësit ofron një hapësirë të konsiderueshme dhe të larmishme me plazhe ranore dhe pjesërisht shkëmbore, si edhe struktura hoteliere apo agroturizëm, të cilat ofrojnë shërbime turistike për të gjithë turistët dhe vizitorët vendas dhe të huaj.
Përveç turizmit të detit dhe rërës Durrësi ka edhe një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme.
Qyteti është i pasur me histori, arkitekturë dhe site arkeologjike si: Amfiteatri romak, Muret rrethuese të kalasë së qytetit, Shesh-tregu Bizantin, Kulla Veneciane, Termat antike romake, Bazilika e Arapajt, Fortifikimi i Skënderbeut në Kepin e Rodonit, Kalaja e Ishmit etj. /j.p/