Moti i nxehtë, Koçiu: Të moshuarit e fëmijët më të rrezikuarit, ndiqni këshillat e ekspertëve të shëndetit

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Fëmijët dhe veçanërisht të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike janë më të rrezikuarit nga ditët e nxehta dhe rritja e temperaturave gjatë muajve të verës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale teksa ndau disa këshilla nga doktoreshë Gentina Qirjako në Institutin e Shëndetit Publik, tha sot se “tejet të rëndësishme janë këshillat e ekspertëve të shëndetit për të parandaluar dhe ulur pasojat nga rritja e temperaturave”.
“Kujdesuni për veten dhe të tjerët duke qëndruar të hidratuar shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell dhe sigurohuni që të qëndroni në ambiente të freskëta”, u shpreh Koçiu.
Në videon e publikuar nga Koçiu, dr. Gentina Qirjako tha se “në këto ditë të nxehta të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të informuar për rreziqet që na vijnë nga temperaturat e larta”.
“Kuptohet që të gjithë njerëzit jan ëtë rrezikuar nga temperaturat e larta , por më të rrezikuar janë grupet vulnerabël siç janë të moshuarit, fëmijët, apo pacientët që kanë sëmundje kronike”, tha Qirjako.
Ajo rekomandon të pihet sa më shumë ujë, pasi pengon dehidratimin.
“Rekomandohet shmangia e konsumimit të kafes dhe pijeve alkoolike. Një tjetër këshillë është shmangia e qëndrimit në mjediset e jashtme në momentet kur temperaturat janë shumë të larta. Duhet të shmanget qëndrimi nga ora 11:00 – 18:00”, theksoi Qirjako.
Nga ana tjetër, shtoi ajo, një rekomandim i mirë është ushqyerja e shëndetshme.
“Gjkatë ditëve të vers rekomandohet marrja e ushqimeve të lehta, sa më shumë fruta dhe perime. Për të sëmurët kronikë një rekomandim tjetër është të vazhdojnë mjekimin me ilaçe siç bëjnë gjatë ditëve të dimrit, pasi ditët e nxehta ndikojnë në ecurinë e këtyre sëmundjeve”, tha Qirjako.
Qirjako u shpreh se “nëse keni shenja të tilla si marrje mendsh, temperaturat të lartë, djersitje të lartë apo djersitje e pakët duhet të kontaktoni mjekun apo shërbimin e urgjencës 127”.
/k.s/r.e/