Moti sot: Shi në të gjithë vendin, temperatura deri në 16°C

Ditën e sotme moti parashikohet i paqëndrueshëm, me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë vendin. Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht në veri dhe jug, për t’u shtrirë gradualisht në të gjithë territorin, me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.
Gjatë orëve të mëngjesit, në ekstremin verior, lokalisht në lindje dhe në jug, reshjet priten të marrin intensitet deri të lartë, në formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Më pas, gjatë pjesës së dytë të ditës, reshjet do të vijojnë kryesisht me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, me mundësi për shtrëngata afatshkurtra në zona të izoluara.
Në zonën e Alpeve dhe në verilindje – juglindje, mbi 800-900 metra mbi nivelin e detit, priten reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.
Era do të fryjë me drejtim juglindje–jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore do të arrijë deri në 16 m/s. Valëzimi në det parashikohet të jetë i forcës 2-4 ballë.
Temperaturat do të pësojnë rritje. Maksimumet pritet të arrijnë deri në 16°C në Berat dhe Vlorë, ndërsa temperaturat minimale do të zbresin deri në 4°C.
/vizionplus.tv