E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moto GP Lorenzo dhe Pedrosa gati per Motegin

Spanjolli Jorge Lorenzo (Yamaha YZR M 1) është gati për garën e radhës së botërorit të Moto GP, atë që do të zhvillohet në Motegi të Japonisë.

Kryesuesi i klasifikimit të përgjithshëm theksoi në një komunikatë të publikuar në faqen e skuderisë së tij: “Do të nisim xhiron aziatike me tre gara radhazi dhe jam i kënaqur për pozicionin tim në klasifikim. Kundërshtarët e mi janë në formë dhe do të jetë e vështirë, por do të luajmë kartat tona në mënyrën më të mirë të mundshme.”

“Cirkuiti i Motegit me pëlqen, kam fituar këtu në vitin 2009 dhe mendoj se mund të luftoj sërish për fitoren”, theksoi Lorenzo, i cili ka 33 pikë avantazh nga Dani Pedrosa (Honda RC 213 V) kur duhen edhe pesë gara nga fundi.

Pedrosa: E pres me padurim këtë garë

Dani Pedrosa nga ana e tij nënvizon se cirkuiti i Motegit i pëlqen shumë pasi ka “pjesë ku frenohet fort”.

“Duhet të punosh mirë me motorin për të evituar ngritjen e rrotës së përparme dhe duhet të gjesh stabilitetin e nevojshëm për frenim të mirë dhe daljen siç duhet nga kthesa”, shpjegoi spanjolli, i cili renditet i dyti në klasifikimin e pilotëve.

“Motegi është një garë që e pres gjithmonë me padurim sepse është shumë e rëndësishme për Hondën. Kemi para nesh gara të njëpasnjëshme, por do t’i bëjmë gjërat me radhë. Duhet qetësi për të përballuar tre gara radhazi”, shtoi spanjolli.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›