E Hënë, 2 Nëntor 2026

Motoambulancë 24 orë në Shëngjin, më shpejt drejt të sëmurit duke shmangur trafikun e rënduar

Krahas autoambulancës, për herë të parë këtë sezon veror në Shëngjin është vënë në funksion edhe një moto ambulancë, e cila do të qëndrojë në gatishmëri përgjatë 24 orëve për t’iu përgjigjur rasteve emergjente. Kjo risi vjen si një zgjidhje praktike për të kapërcyer vështirësitë e trafikut të rënduar, gjatë sezonit turistik.

Koordinatori i Urgjencës në Spitalin Rajonal të Lezhës, Ledion Prendi, bën me dije se moto ambulanca është e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme mjekësore për të ndërhyrë në raste urgjencash.

“Në qendrën shëndetësore verorë të Shëngjinit këtë vit kemi risi dhe moto ambulancën që na ndihmon në lehtësimin e rasteve të rrugës tek “Rana e hedhun”. Moto ambulanca ka ekipin e trajnuar ku do ta përdorin mjek dhe infermier dhe është e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme”, u shpreh Prendi.

Gjatë sezonit të kaluar, numri i thirrjeve në urgjencën e Lezhës kaloi mbi 1 mijë, çka nxiti nevojën për rritjen e kapaciteteve të reagimit, ku vendosja në funksion e moto ambulancës është një hap i rëndësishëm për të garantuar sigurinë dhe shërbimin e shpejtë shëndetësor për qytetarët dhe pushuesit në Shëngjin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›