E Diel, 1 Nëntor 2026

Muaji i shenjtë i Ramazanit, Rama publikon pamje nga Xhamia e Plumbit në Berat

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Muaji i Shenjtë i Ramazanit, një periudhë e rëndësishme e përkushtimit dhe reflektimit shpirtëror për besimtarët myslimanë, është drejt fundit.

Në këtë kuadër, Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga Xhamia e Plumbit në Berat, e cila është ndërtuar në vitet ’30 të shekullit XVI.

Monumenti ngrihet në qendër të qytetit dhe u ndërtua me porosi të feudalit vendas Ahmet bej Uzgurliu, një feudal vendas i konvertuar në islam.

Elementët përbërës arkitekturor të monumentit janë: salla e lutjeve në formë katrore me kupolë, portiku nga ana veriore mbuluar me kupola më të vogla se ajo qendrorja dhe minarja e lartë dhe e hollë punuar në bazamentin e saj në teknikën e kluasonazhit.

Në brendësinë e saj, karakteristik është ndriçimi i bollshëm nga prezenca e shumë dritareve. Dyshemeja e xhamisë ka qenë e mbuluar me tulla gjashtëkëndëshe, nga e cila ruhen vetëm disa fragmente.

Gjatë muajit të Ramazanit, xhamitë në të gjithë vendin frekuentohen nga besimtarët për faljet dhe aktivitetet fetare, ndërsa kjo periudhë konsiderohet një kohë reflektimi, solidariteti dhe përkushtimi shpirtëror.

Agjërimi për besimtarët myslimanë nisi më 19 shkurt 2026 dhe përfundon me festën e Fitër Bajramit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi sot të gjithë besimtarët se namazi i Fitër Bajramit do të falet në sheshin “Skënderbej”, më 20 mars, në orën 06:30.

Sipas Komunitetit Mysliman programi i plotë i Fitër Bajramit nis në orën 06:00 dhe përfundon në 06:35.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›