Mungesa e lëvizjes tek të moshuarit, OBSH: Ecni 30 minuta çdo ditë. Pa aktivitet fizik nuk ka jetëgjatësi

Mungesa e lëvizshmërisë tek të moshuarit po i çon ata drejt një jetë me më shumë sëmundje e për pasojë edhe më të shkurtër. Sipas censusit 1 në 5 të moshuar kanë të paktën një vështirësi në aktivitetet e jetës së përditshme.
Për mikrofonin e RTSH-së, disa qytetarë shprehen se ushtrojnë aktivitet fizik, ndërsa theksojnë që i ndihmon të jenë mirë fizikisht.
-A ushtroheni me aktivitete fizike?
“Po, çdo ditë. Dal nga liqeni dhe bëj ushtrime“.
-Si ndiheni?
“Shumë mirë”.
-Keni dhimbje kockash?
“Fare, përkundrazi , i ndjej kyçet dhe kockat shumë të forta”.
-Sa vjeç jeni ?
“I kam kaluar të 80-at”.
– Po ju zotëri kryeni ecje çdo ditë?
“Unë dal çdo ditë nga 2-3 orë ecje. Ecja është të mendosh seriozisht për jetën. Ecja është dhe falas. Kush e do jetën duhet të bëjë aktivitet fizik”.
E ndërsa OBSH rekomandon ecje 30 minuta çdo ditë, ekspertët e geriatrisë vlerësojnë se 20% e të moshuarve nuk dalin fare nga shtëpia ndërsa 65% nuk janë fare në përputhje me normat.
“Problemi qëndron se një pjesë e të moshuarve kanë një vështirësi në lëvizje dhe këto janë të natyrave të ndryshme. Sipas censusit 1 në 5 të moshuar në vendin tonë kanë të paktën një vështirësi në aktivitetet e jetës së përditshme dhe këta persona padyshim duket që kanë edhe probleme. Nga studimet tona ne kemi parë që 20% e të moshuarve nuk bëjnë asnjë aktivitet fizik, pra nuk dalin nga shtëpia fare për të bërë ecje, zero. 65% nuk janë jashtë rekomandimeve të OBSH dhe vetëm 18-19% e tyre janë në përputhje me rekomandimet e OBSH sa i takon aktivitetit fizik”, shprehet Alban Ylli, ekspert i gjeriatrisë, ISHP.
Sipas Yllit, kjo situatë po i çon të moshuarit drejt sëmundjeve dhe shpenzimeve të shtuara
“Është moment kur efektet e stilit të jetesës shfaqen në moshë të shtyrë dhe konkretisht me sëmundje kronike, me kancer, shëndet mendor të rënduar etj. Është vlerësuar se aktiviteti fizik i munguar çon në 3 milion e gjysmë dollar humbje nga ekonomia shqiptare”, thotë ai.
Sipas rekomandimeve të OBSH çdo i moshuar duhet të kryejë 150-300 minuta në javë e ecje ose aktivitet fizik për të mbajtur larg sëmundjet
“Kjo, e përkthyer do të thotë që në 5 ditë të javës një person i rritur duhet të bëjë 30-60 minuta ecje çdo ditë” thekson ai.
Ekspertët e geriatrisë theksojnë se për këtë gjë duhen edhe investime.
“Duhen investime në trotuare më të përshtatshme, në mjedise urbane më miqësore për të moshuarit që të mos kenë frikë kur të dalin se po rrëzohet, se trotuari është me gropa, apo mungon fare dhe për të shkuar deri te parqet”, shton ai.
Nga studimet, të moshuarit më të arsimuar dhe më me shumë mundësi janë kategoria që merren edhe me më shumë aktivitet fizik.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/