Mungesa e ujit në Tiranë, qytetarët ankohen për furnizimin: Orari i premtuar nga UKT mbetet vetëm në letër

Rritja e temperaturave ka nxjerrë në pah një problem të vazhdueshëm për kryeqytetin: mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm. Javët e fundit, në redaksi janë shtuar ankesat e qytetarëve për mungesën e ujit në banesa dhe pasigurinë për oraret e furnizimit.
Sipas UKT-së, furnizimi me ujë duhet të kryhet tre herë në ditë në orare të përcaktuara: në mëngjes nga ora 06:00 deri në 08:00, në drekë nga ora 12:00 deri në 14:00 dhe në mbrëmje nga ora 19:00 deri në 21:00. Ndërsa për zonat rurale, furnizimi parashikohet një herë në ditë, në varësi të grafikut të përcaktuar nga UKT.
Por banorët pretendojnë se këto orare nuk po respektohen dhe se furnizimi mbetet i paparashikueshëm. Prej më shumë se një muaji, shumë zona të Tiranës përballen me mungesë uji, ndërsa qytetarët shprehen se nuk dinë se kur do të rikthehet furnizimi.
Ndër zonat ku janë raportuar probleme janë Ali Demi, Mine Peza, Sauku, Tirana e Re dhe Kombinati, ndërsa shqetësime janë ngritur edhe në zona periferike dhe fshatra përreth kryeqytetit.
Banorët kërkojnë një informacion të qartë dhe një zgjidhje për situatën, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta. Deri tani, sipas tyre, mungon një njoftim i detajuar nga UKT për mënyrën e furnizimit dhe respektimin e orareve të premtuara.