E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo: Unë te Mançesteri? Nuk do të mund t‘i thosha jo

Sër Aleks Ferguson mund të vendosë të tërhiqet nga futbolli pas disa vitesh dhe tashmë të gjithë provojnë të parashikojnë emrin e pasuesit të tij: ai i Joze Murinjos është më i kuotuari dhe natyrisht "Special One" nuk bën hapa prapa...

"Kush mundet t‘i thotë jo? A ka ndonjë trajner që do të mund t‘i thoshte jo Mançester Junajtid?" Duket serioz dhe i sinqertë Hoze Murinjo, kur gjatë udhëtimit të tij për punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës flet për mundësinë e uljes një ditë në pankinën e Mançester Junajtid.

I biri i trajnerit aktual të skuadrës angleze, Sër Aleks Ferguson, Darren, në ditët e fundit ka hedhur hipoteza rreth daljes në pension të të atit maksimalisht në harkun e dy viteve të ardhshme: të paktë janë ata që besojnë se një gjë e tillë do të mund të bëhet vërtet realitet. Edhe vetë trajneri portugez i Interit, i pyetur në lidhje me këtë argument, duket se nuk është i bindur që tekniku skocez do të heqë dorë kaq lehtë nga drejtimi i pankinës së Junajtid: "Unë nuk besoj se Fergusoni do të tërhiqet në vitin 2010, është shprehur ‘Special One‘. Mendoj se do të jetë njëlloj edhe në vitin pasues, me Sër Aleksin të lumtur e të gëzuar. Nuk shikoj asnjë arsye, pse ai do të duhej të largohej nga futbolli, madje mendoj dhe shpresoj se do të vazhdojë akoma edhe për shumë kohë".

Por askush nuk mund ta vërë dorën në zjarr se çfarë do të ndodhë. Shtrohet pyetja, po nëse do të ndodhë? Këtë pyetje gazetarët ia kanë drejtuar pikërisht Murinjos. "Kush do të thoshte jo? - ka nënvizuar trajneri portugez i Interit. Askush nuk mund t‘i thotë jo. Skuadra e Mançester Junajtid është pjesë e atij grupi të respektuar klubesh, të cilëve askush nuk mund t‘u thotë jo. Por unë e them me sinqeritetin maksimal, se ai duhet të vazhdojë të drejtojë edhe për shumë kohë të tjera. Fakti se është në moshën 70-vjeçare nuk e pengon aspak. Ai po vazhdon të punojë dhe kur e bën këtë ka të njëjtin entuziazëm njëlloj sikur të ishte një 45-vjeçar. Mendoj që, kur unë të jem në moshën 60-vjeçare do të doja të kisha të njëjtin mentalitet si sot".

Murinjo është një fans i Fergusonit dhe këtë e ka demonstruar prej kohësh: të shumta kanë qenë deklaratat në favor të teknikut skocez të "Djajve të Kuq", si në kohën kur drejtonte skuadrën e Çelsit në Angli, ashtu edhe tani që është trajner i Interit. Për koincidencë, vetëm pak javë më parë skuadra e tij është eliminuar nga Champions League, pikërisht nga Mançester Junajtid. "Unë dhe ai kemi shumë pika të përbashkëta: marrëdhënien me lojtarët dhe me tifozët, aftësitë për të ditur si fitohet dhe si humbet një ndeshje. Analizat i bëjmë vetëm pasi të jetë dëgjuar vërshëllima finale. Kam luajtur kundër tij 14 herë dhe kam fituar po dhe humbur. Respekti ynë reciprok ka qenë gjithmonë në lartësinë e duhur". Bëhet fjalë për një respekt, të cilin e keni marrë edhe nga ai? "Po mund të them se po". Por një gjë e tillë nuk e bën Sër Aleksin t‘i dorëzojë kollaj sekretet e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›