E Diel, 1 Nëntor 2026

Muriqi shkëlqen në “La Liga”, gol dhe asist në fitoren 4-1 të Majorkës ndaj Seviljes

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, vijon të shkëlqejë në Spanjë.

Në sfidën e luajtur të hënën në mbrëmje mes Majorkës dhe Seviljes, e vlefshme për javën e 22-të të “La Liga”-s, Muriqi u shndërrua në protagonist në fitoren 4-1 të vendasve, duke dhënë një asist dhe duke shënuar një gol.

Bomberi i Kosovës ishte ai që çeli edhe “valsin” e golave për Majorkën, duke dërguar topin në rrjetë nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 26-të të lojës. Ky ishte goli i 15-të i Muriqit në këtë sezon të elitës së futbollit spanjoll, ndërsa më mirë se ai renditet vetëm Mbappé me 22 gola.

Rezultati u barazua nga mysafirët në minutat shtesë të pjesës së parë. Konkretisht, në minutën e 46-të, Neal Maupay çoi topin në rrjetë për Seviljen.

Fraksioni i dytë i lojës foli vetëm për vendasit, të cilët shënuan edhe tre gola: Samu Costa (53’), Sergi Darder, i cili devijoi në gol goditjen e Muriqit në minutën e 74-t dhe Pablo Torre në minutën e 96-të.

Pas javës së 22-të, Majorka dhe Sevilja kanë grumbulluar nga 24 pikë, por ishullorët qëndrojnë një vend më sipër (14-të) për shkak të golavarazhit. La Liga kryesohet nga Barcelona me 55 pikë, një më shumë se Reali i Madridit.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›