Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, Salla: Mbikqyrja epidemiologjike në të gjithë vendin

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, njoftoi sot se “Murtaja e Ruminantëve të Vegjël” (PPR) është një sëmundje shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë, duke shkaktuar pasoja të rënda për tufat blegtorale dhe ekonominë e fermave”.
Sipas tij, veterinerët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë çdo ditë në terren për zbatimin e planit të kontigjencës dhe kontrolle në akset rrugore për ndalimin e lëvizjeve të paautorizuara të kafshëve.
Salla theksoi se mbikëqyrja epidemiologjike është shtrirë në të gjithë vendin për të identifikuar dhe menaxhuar në kohë çdo vatër të mundshme.
“Shenjat klinike kryesore përfshijnë: Temperaturë të lartë; Rrjedhje nga sytë dhe hunda; Lezione në zgavrën e gojës; Vështirësi në frymëmarrje; Diarre të forte; Dobësim dhe rënie të shpejtë të kafshëve”, theksoi Salla.
Ministri bëri thirrje për respektim të masave të biosigurisë në ferma, duke përfshirë karantinimin e kafshëve të reja, kufizimin e hyrje-daljeve të vizitorëve në fermë, shmangien e kontaktit me tufa të tjera, dezinfektimin rregullisht të pajisjeve dhe ambienteve të fermës, si dhe ndalimin e shitblerjeve pa kontroll veterinar.
“Nëse dyshoni për PPR, njoftoni menjëherë veterinerin! Reagimi i shpejtë mbetet thelbësor për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe mbrojtjen e prodhimit blegtoral”, shkruan Sala.
/m.q/a.f/