E Diel, 1 Nëntor 2026

Musaj: ATSH, vend të veçantë në pasqyrimin e zhvillimeve shoqërore, kulturore dhe politike ndër vite

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së përbashkët fotografike dhe dokumentare “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”, të çelur në mjediset e Kalasë së Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), zv.drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Endrit Musaj, vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti, duke theksuar se arkivat dhe media janë dy institucione thelbësore që ruajnë dhe përcjellin kujtesën e një kombi.

“Arkivi dhe media janë dy institucione që përçojnë dhe ruajnë informacionin, si dhe memorien e një kombi. Kjo ekspozitë është faza e parë e një bashkëpunimi që do të vijojë edhe në periudhat e ardhshme”, u shpreh ai.

Duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy institucioneve, Musaj falënderoi ATSH-në dhe stafin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për organizimin e ekspozitës, e cila sjell një pasqyrë të rëndësishme të historisë së medias dhe informacionit në Shqipëri.

“Kjo ekspozitë paraqet një pjesë të rëndësishme të historisë së medias dhe informacionit në Shqipëri, ku roli i ATSH-së ka një vend të veçantë në pasqyrimin e zhvillimeve shoqërore, kulturore dhe politike ndër vite”, theksoi Musaj.

Ekspozita “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar” sjell një panoramë historike të zhvillimit të informacionit në vend, nga format e para të transmetimit të lajmit në vitet ’20, deri tek epoka moderne digjitale, duke dokumentuar rolin e ATSH-së si një nga institucionet kyç të informimit publik në Shqipëri.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›