E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa: LDK-ja po përgatitet për fitore

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke u përgatitur për t’i fituar zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, si dhe ato nacionale të vitit të ardhshëm, në mënyrë që t’ia rikthejë qytetarit të Kosovës qeverisjen e mirë, qeverisjen e ndershme dhe profesionale, e cila sot i mungon, për shkak të papërgjegjësisë totale të Qeverisë aktuale të Kosovës, të mbytur në vorbullin e aferave dhe të skandaleve korruptive që e kanë përfshirë atë. Ky ishte mesazhi i takimit të mbrëmshëm të Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me veprimtarët e Nëndegës së LDK-së në Korishë të Prizrenit.

Kjo nëndegë në gjirin e vet tashmë i ka edhe ish-anëtarët e vjetër, të rikthyer nga LDD-ja, të cilët i janë ribashkuar LDK-së, janë kthyer në shtëpinë e përbashkët për të punuar që Prizrenit dhe mbarë Kosovës t’ia kthejnë një qeverisje të ndershme, profesionale dhe të përgjegjshme.

Kryetari Mustafa, i pritur mes ovacionesh, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës është duke u përgatitur fuqishëm për t’i fituar zgjedhjet edhe në Prishtinë, edhe në Prizren, edhe në gjithë Kosovën.

“Çdoherë, kur LDK-ja e ka përcaktuar një objektiv, e ka arritur atë. Presidenti Rugova e ka përcaktuar një objektiv: liri, pavarësi, demokraci dhe e ka realizuar. Sivjet, do ta marrim edhe Prizrenin, sepse Prizreni ka nevojë që të qeveriset nga LDK-ja, po edhe LDK-ja ka nevojë për Prizrenin”, theksoi kryetari Mustafa, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja.

Mustafa pohoi se gjurmët e qeverisjes së mirë të LDK-së në Prizren vërehen kudo edhe sot, ndërsa qeverisjes aktuale të Prizrenit i kanë dalë në shesh plot probleme, të cilat nuk po mund t’i mbulojë as Qeveria qendrore.

“Qytetarët e Korishës, qytetarët e Prizrenit dhe të gjithë Kosovës meritojnë një qeverisje më të mirë. LDK-ja, me Prishtinën dhe me Prizrenin, do të shkojë sigurt drejt fitores në të gjithë Kosovën. Për ne fitore është edhe kthimi i ish-veprimtarëve të LDD-së në shtëpinë e vjetër, ashtu siç është edhe zgjerimi me të rinj anekënd Kosovës”, tha Kryetari Mustafa.

Ndërkaq, duke folur për proceset e përgjithshme politike nëpër të cilat po kalon vendi, kryetari Mustafa tha se ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, mirëpo duhet të punojmë për ta ndërtuar të ardhmen.

“LDK-ja është parti shtetformuese, të tillë e ka ndërtuar Presidenti Rugova. Prandaj, ne ju ftojmë për unitet, ju ftojmë që ta përkrahni me tërë potencialin edhe kandidatin tonë për Prizrenin, edhe kandidatët për qytetet e tjera, sepse qytetarët tanë meritojnë të kenë një qeverisje më të mirë”, theksoi Mustafa para qytetarëve të rajonit të Korishës.

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Eqrem Kryeziu, i bindur për fitoren e LDK-së në Prizren, theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta rigjenerojë besimin e elektoratit në vlera dhe do t’u ofrojë qytetarëve një qeverisje të mirë e të përgjegjshme, e cila, fatkeqësisht tani po u mungon.

Në këtë takim, po ashtu, ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, deputeti Ismet Beqiri, si dhe anëtarët e Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala dhe Abdullah Hoti./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›