E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafa sërish e quan diktatoriale qeverisjen e Thaçit

Nëse LDK-ja vjen në pushtet nuk do të respektojë marrëveshjet e arritura me Serbinë. Kështu ka deklaruar kreu i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Isa Mustafa. Ai ka thënë se nuk ka reciprocitet, pasi po zbatohet në mënyrë të njëanshme. Kryetari i LDK-së, e ka kritikuar edhe një herë qeverisjen qendrore duke e quajtur diktatoriale, ndërsa për kryeministrin Thaçi ka thënë se nuk di se çfarë është qeverisja.

Sipas Mustafës, marrëveshjet e arritura së pari duhet të ratifikohen në Kuvend e pastaj të nisë respektimi, gjë që kjo qeveri nuk po e bën.

Mustafa ka folur edhe për polemikat me Rexhep Qosjen, të cilat i ka quajtur të mbyllura por ka thënë se nuk do të heshtin ndaj akuzave.

Duke qenë prej 4 vjetësh në krye të Prishtinës, Mustafa ka folur gjerë e gjatë edhe për qeverisjen me kryeqytetin, ku ka thënë se projekte madhore do të përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm.

Ai gjithashtu ka thënë se LDK-ja mendon se zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen në vjeshtën e 2012-ës, ndërsa ka thënë se nuk kanë menduar ende për kandidatin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›