E Diel, 1 Nëntor 2026

Muxhahedini: Nuk dua ekspozim, mund të jetë e rrezikshme

Të lësh takim te "Kali i Skënderbeut" në Tiranë do të thotë se je duke u takuar me një person që nuk e njeh mirë kryeqytetin. Vetë ai sugjeron të shihemi pikërisht atje, duke qenë se është ndër të paktat vende që njeh. Ka ardhur në Shqipëri nga Irani, pasi është nga ata persona që kanë pranuar strehimin politik në vendin tonë. Quhet Hanif dhe është pjesë e grupit të muxhahedinëve që tashmë janë strehuar në Qendrën Kombëtare Pritëse të Azilkërkuesve. Fillimisht e kontaktojmë në telefon, ndërsa ndan me ne ëndrrën që përveç strehimit, dëshiron të bëhet pjesë e televizioneve shqiptare. Duket se i pëlqen media, ndërsa intervistën e sheh si një mundësi të mirë për t'u afirmuar. "E di që intervista do të më ndihmojë të futem në botën e medias, por për të tjerat do të flasim kur të takohemi", - shprehet Hanifi, ndërsa vendosim të takohemi në orën 11:00 të ditës së djeshme. Ne jemi të përpiktë. Në fakt edhe ai, por jo fizikisht. Në orën e caktuar Hanifi na telefonon për të na njoftuar se nuk do të vijë në takimin e lënë një ditë më parë. "Dje bisedova edhe me miqtë e mi dhe mendoj se nuk duhet ta jap intervistën për të cilën biseduam. Edhe ata më këshilluan që të mos ekspozohem. Ndoshta kjo mund të jetë e rrezikshme, të paktën për momentin. Pastaj edhe jeta ime në Iran nuk ka shumë gjëra të këndshme për t'u treguar", - shprehet Hanifi, teksa na kërkoi disa herë ndjesë për mosardhjen e tij në takim. Nuk insistojmë më tej, ndërsa lëmë të hapur mundësinë për një takim tjetër të mëvonshëm.
Strehimi
Qeveria shqiptare i është përgjigjur kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për strehimin e muxhahedinëve, ndërkohë që në bazë të marrëveshjes së arritur, pritet që në vendin tonë të mbërrijnë 210 persona. Grupi i parë, i përbërë nga 14 persona ka ardhur më datë 6 maj, ndërsa grupi i dytë mbërriti në aeroportin e Rinasit në 31 maj 2013. Grupi i dytë përbëhej nga 30 persona, ndërkohë që nuk është bërë e ditur se kur do të vijë pjesa tjetër e numrit të parashikuar. Sipas Ministrisë së Brendshme, qeveria ka marrë të gjitha masat për sistemimin e tyre në apartamente banimi të përshtatshme, duke siguruar transferimin e tyre nga Qendra e Pritjes në banesat e tyre, brenda një kohe të shkurtër si dhe trajtimin sipas të gjitha standardeve të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare dhe konventat e njohura nga Republika e Shqipërisë.
Muxhahedinët
Fjala muxhahedin vjen nga gjuha arabe dhe nëse përkthehet do të thotë "luftëtar". Ndërkohë që Muxhahedinët e Popullit të Iranit, është një parti politike, ndër më aktivet në kundërshtimin e regjimit që ka marrë pushtetin në Iran. Për shumë vende evropiane kjo parti është konsideruar si një organizatë terroriste, por Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka hedhur poshtë këtë përcaktim, duke u shprehur tri herë me radhë kundër qëndrimit të kësaj partie në listën e zezë të organizatave terroriste. Por vetëm në janar të vitit 2009, 27 vendet e Bashkimit Evropian, të mbledhura në Bruksel vendosën ta fshijnë partinë Muxhahedinët e Popullit të Iranit nga kjo listë. Ndërkohë që në 28 shtator të vitit 2012 Departamenti Amerikan i Shtetit ka fshirë emrin e saj nga lista e zezë. E njohur ndryshe si MEK, kjo parti ka kryer disa atentate në Iran, të cilët janë përdorur nga regjimi për të diskretituar në sytë e popullit iranian këtë lëvizje qytetare. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›