Muzeu Etnografik në Gjirokastër, njohja e qytetit përmes veshjeve tradicionale

Në Muzeun Etnografik të Gjirokastrës, veshjet tradicionale u kthyen sot në një mënyrë për të treguar historinë dhe traditën e qytetit.
Përmes këtij aktiviteti, vizitorët u njohën më nga afër me elementët e veshjeve tradicionale të kësaj zone dhe kuptimin që ato kanë pasur ndër breza.
“Më pëlqyen shumë veshjet tradicionale. Janë shumë të bukura dhe interesante, sidomos detajet dhe mënyra se si janë punuar. Mendoj se janë një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së këtij qyteti”, u shpreh një turist.
“Ishte shumë interesante t’i shihnim nga afër. Nuk janë thjesht veshje të bukura, por tregojnë shumë për kulturën dhe mënyrën e jetesës së njerëzve këtu”, tha një tjetër turiste.
Sipas cicerones së këtij muzeu aktivitete të tilla synojnë ta bëjnë vizitën në muze më shumë se një ndalesë turistike.
“Për të ruajtur dhe për të përcjellë trashëgiminë kulturore ndër breza, Bashkia e Gjirokastrës dhe Agjencia e Trashëgimisë Kulturore kanë pasuruar ekspozitorët e këtij muzeu me kostume tradicionale të plota.
Kostumi tradicional është një identitet i çdo zone etnologjike të qytetit të Gjirokastrës. Kemi mundësuar që të pasurohet kostumi i plotë i burrit të Gjirokastrës, i gruas së Gjirokastrës, i vajzës së Gjirokastrës dhe gjithashtu i djaloshit të Gjirokastrës, po ashtu edhe i të gjitha zonave të tjera etnologjike.
Një kostum nuk është thjesht një veshje tradicionale. Synimi ynë është që t’u japim vizitorëve, por edhe brezave të ardhshëm, një panoramë të plotë të veshjeve tradicionale”, tha ciceronia Iris Shane.
Muzeu Etnografik vijon të jetë një nga hapësirat ku tradita gjirokastrite mund të njihet jo vetëm përmes objekteve, por edhe përmes rrëfimeve që i japin jetë atyre.
Gazetare : E. Domeri
/rtsh.al/