Muzeu Historik Kombëtar atraksion i preferuar për turistët në janar, shifrat rriten me 345%

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë mbetet një prej atraksioneve kulturore dhe historike më të vizituara në kryeqytet. 1578 vizitorë, të huaj dhe vendas, kanë vizituar Muzeun Historik Kombëtar vetëm në muajin janar 2023.
Shifrat janë bërë me dije nga vetë Muzeu ku thotë se kjo është një “rritje me 345% më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin janar të vitit 2022”.
Gjatë muajit janar 2022, Muzeu u vizitua vetëm nga 355 vizitorë në total.
Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.
Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve.
Konferencat shkencore dhe veprimtaritë përkujtimore që flasin për identitetin tonë kombëtar janë organizmiet më të shpeshta që ndodhin në Muzeun Kombëtar.
/rtsh.al/