Muzeu etnografik në Gjirokastër, mbi 5 mijë vizitorë brenda 7 muajve

Muzeu Etnografik në Gjirokastër është një prej objekteve më të vizituara nga turist vendas dhe të huaj. Historia që mbart ky muze , arkitektura e ndërtesës tipike e shtëpive të hershme gjirokastrite, reliket , veshjet popullore dhe elementët e folklorit të gërshetuara me teknologjinë përmbajnë një vlerë të veçantë dhe mjaft tërheqëse për vizitorët. Turistët e cilësojnë tepër mbresëlënëse vizitën në këtë muze.
“Vij nga Spanja dhe kam ardhur të vizitoj Gjirokastrën, një eksperiencë e këndshme deri tani. Historia e Gjirokastrës është tepër interesante dhe muzeu po me pëlqen shumë”, u shpreh një turiste nga Spanja.
Interesi për këtë muze ka ardhur gjithnjë e më tepër në rritje pohon ciceronia e muzeut etnografik Iris Shane .
“Ka një trend pozitiv të rritjes së vizitorëve krahasim me vitin e kaluar, vizitorët janë kryesisht nga Evropa dhe risi për këtë vit janë vizitorët portugez”, u shpreh ciceronia Iris Shane.
Përgjatë periudhën janar- korrik Muzeu etnografik I Gjirokastrës është vizituar nga rreth 5000 vizitor vendas dhe të huaj.
/RTSH/