Muzeu i lundrimit në Shkodër, një hapësirë e veçantë për historinë dhe trashëgiminë e qytetit

Punimet në kantierin në afërsi të lumit Buna, po vijojnë me ritme të qëndrueshme. Investimi vlerësohet rreth 2 milionë euro, me një afat përfundimi deri më 10 shkurt 2026-të.
Projekti financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimi Evropian.
Qytetarët shkodranë e cilësojnë një projekt ambicioz dhe të shumëpritur.
“Ndryshimin e Shkodrës e shohim jo vetëm në brendës, por edhe në hyrje të Shkodrës. Më pëlqejnë punimet, po punohet shumë mirë. Shkodra e meriton sepse është vend europian. Kjo është një gjë e mirë për qytetin”, shprehen qytetarët.
Muzeu i Lundrimit është pjesë e një pakete të plotë ndërhyrjesh që po realizohen në Shkodër, duke synuar rritjen e potencialit turistik. Ai formohet nga dy volume të vendosura njëra mbi tjetrën, një volum në formë kodre në pjesën e poshtme dhe një “varkë pluskuese” në pjesën e sipërme.
Muzeu i Lundrimit do të jetë simbol i peizazhit urban dhe kulturor të qytetit të Shkodrës.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/