Muzeu i vuajtjeve të diktaturës në Shkodër, Bashkia: Na ndihmoni ta pasurojmë
Bashkia e Shkodrës u bën thirrje familjeve që janë persekutuar nga diktatura komuniste të ndihmojnë në pasurimin e Muzeut të Vuajtjeve të Diktaturës Komuniste.
Tashmë që ndërtimi fizik i Muzeumit ka përfunduar, ka dalë në plan të parë sistemimi i tij dhe pasqyrimi i sa më shumë fakteve dhe dokumenteve që vërtetojnë tmerrin e kaluar në kohën e diktaturës.
Drejtoresha e Urbanistikes prane bashkise, Aida Shllaku, ka folur rreth ndertimit te ketij Muzeu, por edhe fazes ne te cilen ndodhet ky objekt i rendesishëm në Shkodër.
Qyteti i Shkodrës konsiderohet si më i prekuri nga diktatura. Pas 1944-rës në qytet numëroheshin 13 burgje të regjimit komunist, 601 të pushkatuar, 136 të vdekur në burgje, 2846 të burgosur politikë dhe 1924 të internuar politikë.
Muzeumi është ndërtuar në ish-godinën e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, aty ku gjatë viteve të diktaturës janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjerë.
Për ndërtimin e këtij Muzeu është vënë në dispozicion një fond prej 53 milionë lekësh, të akorduara nga Ministria e Kulturës, si dhe Bashkia e Shkodrës.
Pjesë e Muzeut janë edhe mjedise të tjera të jashtme, sikurse oborri i ajrimit, anekse të tjera plotësuese, si dhe pajisje, shkrime dhe të dhëna origjinale të asaj kohe, të cituara nga të burgosurit politikë.