Muzikantët shkodranë, vlerësime pozitive për “Shkodra Elektronike”

Në një natë të mbushur me emocione dhe spektakël muzikor, Shqipëria siguroi kalimin në finalen e madhe të Eurovisionit, që po zhvillohet këtë vit në qytetin e Bazelit, në Zvicër.
Grupi “Shkodra Elektronike”, me një performancë që kombinoi ritmet moderne me elementë të trashëgimisë kulturore shqiptare, arriti të fitojë zemrat e publikut europian dhe jurisë profesionale.
Kënga shqiptare u dallua për origjinalitetin, fuqinë vokale dhe skenografinë e kuruar deri në detaje, duke u renditur mes 10 vendeve më të votuara në gjysmëfinalen e parë. Tashmë “Shkodra Elektronike” do të ngjitet sërish në skenën e Eurovisionit, të shtunën mbrëma, ku Shqipëria do të interpretojë e 26-ta në radhë.
“Tërheq shumë edhe performanca e Beatriçes, është jashtëzakonisht e bukur dhe i jep një bukuri të veçantë edhe interpretimit të tyre. Pashë edhe një element që kishte shtuar këngëtarja në të kënduarin, që m’u duk shumë interesant dhe i bukur,” tha muzikanti Roland Guli.
Performanca vizuale ishte një tjetër aset i rëndësishëm i këtij suksesi. Një koreografi dinamike, me simbole dhe lëvizje të sinkronizuara deri në detaje.
“Gjetja e lëvizjeve të duarve në kohezion me flakët që dalin nga pas, duke përshtatur shumë mirë fjalën zjerm me lëvizjet, për mua ishte e jashtëzakonshme,” vlerësoi koreografi, Aldo Nika.
Finalja e madhe e Eurovisionit pritet me interes të lartë edhe në Shqipëri, ku mbështetja për “Shkodra Elektronike” është kthyer në një entuziazëm mbarëkombëtar.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/