Myqerem Tafaj merr hakun e gruas, pezullon nga puna mësuesen që akuzoi edukatoren për dhunimin e fëmijës
Mësuesja e një gjimnazi në kryeqytet është pezulluar dhe këtë ia di për nder edukatores që i vuri thonjtë në fyt fëmijës dhe drejtoreshës së kopshtit, e cila është bashkëshorte e Ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj.
Vetë ministri është kujdesur për këtë hakmarrje dhe ka firmosur urdhrin e pezullimit.
Shtetasja V.L. (për arsye etike që lidhen me të miturin, japim vetëm inicialet) mban në duar një shkresë pezullimi nga puna, lëshuar nga Myqyrem Tafaj.
Ajo shprehet për Shekullin se Ministri i Arsimit, Tafaj, nuk kishte asnjë shkak për ta lëshuar urdhrin, por vepron thjesht si bashkëshort i drejtoreshës së kopshtit, ku punon e pandehura Alma Toska.
Gjatë një bisede me nënën e fëmijës, pas përfundimit të seancës së djeshme gjyqësore, V.L. tregon se djali i saj është dhunuar nga edukatorja, pasi nuk fjeti gjumë.
Edukatoret duan të bëjnë qejfin e tyre dhe jo të kujdesen për fëmijët. Djali im nuk fjeti gjumë dhe edukatorja e kapi tek nofullat me thonj, rrëfen shtetasja me inicialet V.L.
Me ton indinjues, ajo mohon pretendimet e kolegeve të Alma Toskajt, se është dëshmitare e Jehovait dhe gjithashtu thotë se, për denoncimin nuk është nxitur nga ndonjë paragjykim fetar ndaj edukatores. Ndërsa i quan gënjeshtra fjalët e prindërve të fëmijëve të tjerë se kjo ngjarje është një sulm kundër edukatores së mbuluar me ferexhe.
Janë të gjitha gënjeshtra dhe unë nuk jam dëshmitare e Jehovait. Mua më është dhunuar fëmija im 4-vjeç, është shprehur ajo./A.Xh