E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO do të hapë në Bukuresht dyert për Shqipërinë

Sekretari i Pergjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Shefer ka inkurajuar dje aspiratat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për t’u bashkuar me aleancën veritatlantike, duke u shprehur se ai shpresonte për një ftesë për anëtarësim në samitin e afërt të NATO-s, që do të zhvillohet në prill në kryeqytetin rumun, Bukuresht. “Është mjaft e rëndësishme që ne të krijojmë një dinamike të re në rajon” - ka deklaruar Shefer gjatë punimeve konferencën për sigurinë që po zhvillohet në qytetin gjerman të Mynihut, duke iu referuar Ballkanit. “Për këtë arsye unë shpresoj se në Bukuresht, ne do të jemi gati t’u hapim dyert e NATO-s anëtarëve të rinj nga ky rajon”- shtoi ai, duke iu referuar samitit që do të mbahet në kryeqytetin rumun nga data 2 deri në 4 prill. Aleatët e NATO-s janë aktualisht duke studiuar dokumentet e aplikimit të 3 vendeve që duan të anëtarësohen, të cilët duhet të plotesojnë një varg kushtesh ushtarake dhe demokratike. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Jozef Jung, deklaroi dje se ai ishte “optimist për perspektiven që Kroacia të anëtarësohej, dhe se ndoshta ka shpresa edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë”. Ndërkaq edhe zëvendëssekretari amerikan i shtetit për çështjet Europiane dhe Euro-aziatike, Kurt Volker, i sapoemëruar ambasador i ri në NATO, ka vlerësuar gjithashtu se Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia do të marrin ftesë për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit. Deklarata inkurajuese e Shefer vjen vetëm pak ditë pas takimit që ky i fundit zhvilloi në selinë qendore të NATO-s me kryeministrin shqiptare Sali Berisha. Përgjatë këtij takimi dhe konferencës së shtypit që e pasoi, kreu i aleancës vlerësoi arritjet impresionuese që ka shënuar vendi ynë në drejtim të përmbushjes së standarteve që mundësojnë ftesën e anëtarësimit në NATO. Bashkimi në aleacën më të fuqishme ushtarake në botë është shndërruar në një kredo të mbarë klasës politike shqiptare, e cila me konsensus po kryen me shpejtësi dy nga reformat kryesore që kërkohen më ngulm në këtë process që janë reforma në sistemin e drejtësisë dhe ajo zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›