E Enjte, 5 Nëntor 2026

NEPAL – Të paktën 49 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut

KATMANDU, 28 shtator /ATSH-DPA/- Të paktën 49 persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë raportuar të zhdukur në Nepal – për shkak të përmbytjeve të rënda dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga shirat e musonit, thanë autoritetet.

Sipas zëdhënësit të policisë së Nepalit, Dan Bahadur Karki, të paktën 36 persona janë shpallur të zhdukur nëpër rajone të ndryshme në Himalaje që nga e premtja vonë.

Ai tha se gjithsej janë plagosur 36 persona. “Ne kemi shpëtuar 1 053 njerëz të prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut dhe i kemi strehuar në vend të sigurt në Luginën e Katmandusë”, tha Karki.

Zyrtarët e lartë zhvilluan sot një takim urgjent për të vlerësuar situatën dhe për të intensifikuar përpjekjet e kërkim- shpëtimit dhe rehabilitimit.

Shirat, që filluan të enjten, kanë shkatërruar infrastrukturën, duke dëmtuar rrugët dhe urat dhe duke ndërprerë fluturimet e brendshme.

Në Katmandu, lumenjtë e fryrë kanë përmbytur mijëra shtëpi – dhe rrugët kryesore që të çojnë në kryeqytet kanë mbetur të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut.

Autoritetet kanë parashikuar reshje të mëtejshme shiu këtë javë, duke lëshuar alarme për përmbytje për komunitetet pranë lumenjve kryesorë.

Terreni malor i Nepalit dhe lumenjtë e shumtë e bëjnë vendin veçanërisht të prekshëm ndaj fatkeqësive natyrore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›