E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJË ÇEK NGA THATCHER-i PËR SHQIPËRINË

Monika Shoshori Stafa

Në procesin e punës kërkimore dhe të këshillimit të burimeve për një dokumentar, një prej fakteve më befasues dhe njëherësh thuajse të panjohur e të pabesueshëm që më ra në dorë, kishte të bënte pikërisht me Kryeministren Margaret Thatcher

MONIKA SHOSHORI STAFA

Margarete Thatcher (1) Margarete Thatcher (2) Margarete Thatcher (3) Margarete Thatcher (4) Margaret Thatcher Leaves The Cromwell Hospital After A Recent Bout Of Flu Margarete Thatcher (6) Margarete Thatcher (7) Margarete Thatcher (8) Margarete Thatcher (9) File photo of British Prime Minister Margaret Thatcher pointing skyward as she receives standing ovation at Conservative Party Conference

Margaret Thatcher, e para grua Kryeministre e qeverisë së Madhërisë së Saj, Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, me një periudhë qeverisjeje nga më afatgjatat, do të përcillet, mes polemikash të ashpra, me protokollin e një princeshe.

Figura e Margaret Thatcher-it në mjediset shqiptare prej dekadash është identifikuar me epitetin Zonja e Hekurt dhe me sa duket me të njëjtin përftim dhe do të përcillet.

Por a ka pasur Margaret Thatcher ndonjë moment që e ka lidhur drejtpërdrejt me popullin shqiptar dhe në dobi të tij, moment që meriton nderim në këto ditë ikjeje pa kthim?

Gjatë vitit të kaluar, në kuadër të nismave për nderimin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, ndër të tjera u mora me projektimin dhe realizimin e dokumentarit Fytyra e shtetit në pasqyrë të monedhës, transmetuar disa herë nga platforma dixhitale Digitalb në kanalin T. Në procesin e punës kërkimore dhe të këshillimit të burimeve për këtë dokumentar, një prej fakteve më befasues dhe njëherësh thuajse të panjohur e të pabesueshëm që më ra në dorë, kishte të bënte pikërisht me Kryeministren Margaret Thatcher. Simbolikisht unë e kam quajtur Thatchers chéque, sepse gjithë episodi që do të përshkruhet lidhet me një çek, që, megjithëse quhet chéque a porteur, çek pa emër mbajtësi, ka nënshkrimin e Kryeministres britanike, dërguar Bankës së Shtetit më 2 shkurt 1979.

Në mesin e viteve 1980, kur ndërprerja e marrëdhënieve të miqësisë me Pekinin ishte bërë krejt e dukshme, Tirana dha disa shenja zbutjeje me shtetet që deri atëherë i konsideronte armiq dhe nuk mbante marrëdhënie diplomatike: me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë federale në radhë të parë. Në Kushtetutën e vitit 1976, u shënjua se Shqipëria nuk mban marrëdhënie diplomatike me dy superfuqitë, ndërsa për vendet e tjera nuk u parashikua përjashtim. Po në këtë kohë, siç del nga burimet që pata mundësi të këshilloj në kohën e realizimit të dokumentarit, bisedimet me Gjermaninë dhe Britaninë (jo dhe me Izraelin!) shkonin përpara deri-diku dhe pastaj ktheheshin në pikën e fillimit. Arsyeja ishte jo politike, jo diplomatike, por historike: ari shqiptar i dorëzuar nga qeveria e Mehdi bej Frashërit në vitin 1943 komandës naziste, me një peshë të përafërt prej 2.6 tonësh, i administruar nga një komision trepalësh i aleancës fitimtare të luftës antifashiste, për shkak se Shqipëria nuk pranonte të paguante dëmshpërblimin që Gjykata e Hagës kishte caktuar për të, duke iu referuar incidentit të Korfuzit. Gjendja dukej pa zgjidhje: jemi të gatshëm për marrëdhënie diplomatike, por më parë duhet të na kthehet ari; ari nuk mund të kthehet, sepse duhet të paguani më parë dëmshpërblimet për kryqëzorët britanikë që u minuan në kanalin e Korfuzit; nuk japim dëmshpërblime, sepse minat nuk i kemi vendosur ne; edhe nëse ju si keni vendosur, keni pranuar ti nënshtroheni vendimit të një gjykate, madje avokatin tuaj e keni nderuar me urdhër të lartë mirënjohjeje, prandaj duhet ta respektoni; ne jemi njohur si pjesë e aleancës fitimtare, prandaj nuk do të paguajmë dëmshpërblime, deri sa vinte argumenti i fundmë i diplomacisë britanike: Na jepni një sterlinë, sterlinën e nderit, dhe jemi të gatshëm të heqim dorë nga kërkesat tona. Por pikërisht këtë nuk bëri qeveria e Tiranës. Në kushtet e shenjtërimit të një ideali që, siç u provua, nuk çonte askund, qeveria shqiptare nuk i lejonte vetes asnjë shenjë sado të vogël pragmatizmi, dhe kështu, në emër të mitit të konsekuencës, shkohej drejt mbrojtjes së nderit duke ngrënë bar, në vend të një kompromisi që sot do të gjykohej qesharak: një sterlinë për të fituar gjithë të drejtat mbi arin e dorëzuar gjatë luftës (me një premtim të komandës naziste se ari do të kthehej së bashku me vlerën e depozitës në kartëmonedhë, që zakonisht nuk përmendet, për të mos folur për kartëmonedhën e prodhuar prej klisheve që u morën prej saj bashkë me depozitën dhe arin).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›