E Shtunë, 31 Tetor 2026

NJË MESHË PAQEJE ME FJALË POETIKE

Mbresa nga Manifestimi: Trekëndëshi Poetik i Paqes”, Edicioni III, Dunav Gjilan

PËLLUMB GORICA
HYQMET HASKO

Atje ku startoi Trek+½nd+½shi poetik i paqesRrugëtimi drejt Kosovës, tashmë të rilindur si Feniski nga hiri i kujtimeve të trishta, dhimbjeve, brengave, zhgënjimeve e traumave kolektive, është gjithmonë një rrugëtim mbresëlënës dhe zbulon çdo herë diçka të re e magjike. Sidomos me poetë, të cilët e kanë të pastër shpirtin e zbulimit dhe mrekullimit, teksa mblidhen së bashku, e i shkrijnë emocionalisht kufijtë artificialë me pasionin e fjalës së bukur shqipe.
Rrugëtuan së bashku me ne edhe poetët nga Durrësi: Nikolla Spathari, Agim Bajrami,në mesditë, me një diell të nxehtë nëpër Rrugën e Kombit, e këto rreze na dërgonin mesazhe frymëzuese, saqë makina sikur ngjante në një dhomë poetike lëvizëse, teksa recitonim poezitë tona. Në këtë metaforë poetike ndjenjash drejt manifestiminTrekëndëshi Poetik i Paqes”, në Dunav, Gjilan, në këtë krahinë të Shqiptarisë me një ftesë për të bashkuar shpirtërat në altarin e shenjtë të poezisë. Nuk ka festë më të bukur se të “mbledhesh poetët në manifestime të tilla, që janë vërtet të veçanta, mbreselenëse dhe për tu admiruar, e që aq bukur ata nuk “ngopen”. Por të ndash emocionet e veçanta me miqtë e të përshkruash atmosferën frymëzuese, është një tjetër vlerë. Natyrisht që ka hapësira pa fund për të përçuar këto vlera.
Në mbrëmje arritëm në Gjilan dhe shijuam peizazhin mahnitës, teksa tifozët që kishin mbushur sheshin kryesor të Gjilanit, me rastin e ndeshjes së Kombëtares sonë me Norvegjinë, brohorisnin për fitore, të mbuluar me flamurin kuq e zi. Ishte një tablo mbresëlënëse që tregonte vitalitetin e botës shqiptare, jo vetëm për një akt të tillë sportiv, por ende më shumë për një akt të mirëfilltë shqiptarie. Kafen e mëngjesit e pimë së bashku në një nga lokalet në qendër të Gjilanit, ku Sabit Rustemi, kryetar i Ars Clubit “Beqir Musliu të Gjilanit dhe Lindita Ramushi, sekretare, na pritën me përzemrsi. Ishin këtu emra të njohur poetësh: Nexhat Rexha, Rozeta Krëste, Arsim Halili, Bilall Maliqi, Sinan Sadiku, Musa I Ahmetaj e Greta Qyrku. Të tjerë, të ardhur nga Tirana, Saranda, Berati, Shkupi, Kumanova, Prishtina, Presheva, Bujanoci e qytete të tjera të Kosovës kishin nisur karvanin poetik drejt Grykës së Karadakut. Të kap një emocion i beftë, kur para syve të shfaqet Gryka e Karadakut, ku u organizua Trekëndëshi Poetik i Paqes”, një veprimtari e bukur si përkushtim për Ditën e Lirisë, për Paqen e fituar dhe për Poezinë e shkruar. Gjelbërimi i Grykës së Karadakut të ngop sytë, të rrëmben vështrimin e të shlodh me ndërtimet, tokat e mbjella, drurët, duke të dhënë mundësinë ti sodisësh kalimthi nën rrezet e diellit. Gryka e Karadakut, legjendë ku kanë humbur pa nam e nishan mijëra sllavë, armiqtë historikë të kombit shqiptar, gryka simbol e Idris Seferit, e Agim Ramadanit, e mijëra shqipeve me fletë që vunë shpirtin e tyre të paepur në themel të Republikës së re të Kosovës, të një kombi, me një gjuhë të shenjtë. Këtu, në këtë vend të bekuar, fle përjetësisht historia e flamurin e tundin dallgët e kohërave të rrepta e ku çdo palë e tij në shtëpitë flet me bujarinë e mikpritjes shqiptare.
Në ambientin e gjelbëruar të restorantit “DUNAVI”, Dunav, gostia e vargjeve, gjëmoi nga ritmi i daulleve dhe surlaxhiut, u zbukurua nga veshjet popullore të traditës së Karadakut. Aty e shijoje jo vetëm bukurinë e natyrës por edhe të artit. Në hapësirën e gjelbëruar, midis tavolinave si sofra shtruar, vareshin në trungjet e drurëve piktura, një mini ekspozitë surrealiste e piktorit të njohur gjilanas, Jetulla Haliti. Pastaj nisi hapja zyrtare nga mr. Tahir Arifi, i cili theksoi se manifestimi që organizohet për të tretin vit, vlen për të njohur karakteristikat jetike dhe historike të kësaj ane të Karadakut. Një presion artistik për të komunikuar më shumë me Maqedoninë për hapjen e pikës kufitare në Stançiq. Trekëndëshi Poetik i Paqes”, në Dunav organizohet me mbështetjen e MKRS të Kosovës, Komunës së Gjilanit. Me anë të fjalës së tij, Veton Nevzadi, drejtor i kulturës të Komunës së Gjilanit në emër të institucioneve të saj e përshëndeti manifestimin. Ai u ndal në angazhimin e komunës së Gjilanit e posaçërisht e kryetarit Qemal Mustafa, i cili duke qenë gjithmonë pranë këtyre veprimtarive të kësaj natyre me angazhimin e mbarëvajtjen e tyre në dimensione vlerash.Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Clubit “Beqir Musliu, pasi falenderoi të pranishmit, e sidomos të ardhurit nga Tirana, Durrësi,Saranda, Kumanova, Prishtina, Presheva, Bujavnoci, Medvegja e nga emigracioni e cilësoi këtë manifestim momentin e kënaqësisë për lirinë që gëzojmë sot, për 12 Qershorin, Ditën e Lirisë së Kosovës, për ditën e çlirimit të Gjilanit. Ky manfestim i përkushtohet kësaj date dhe ne jemi këtu me moton për lirinë, për paqe me poezi. Kjo është ajo që e kemi dëshiruar dhe ajo që e kemi dhe e përjetojmë.Dom Lush Gjergji bëri një kungatë paqëtimi, për të mbledhurit në këtë tubim të bukur për të dhënë bekimin e fjalës poetike. Ai e quajti poezinë një mesazhiere të paqes e të dashurisë hyjnore, një zë që na thërret së brendshmi për të ndryshuar dhe për tu bërë më të mire. Krijuesit, njerëzit e penës, mendjes, në takime të tilla shpirtërore na japin mundësi të njihemi më mirë me njëri tjetrin, që të gjejnë frymëzimin tonë, jo vetëm për bukuritë natyrore, të cilat zoti i madh i ka krijuar dhe dhuruar dhe lirinë për tu flijuar. Ashtu siç thoshte e lumturumja jonë, Nënë Tereza: Dashuria dhe flijimi janë vlera dhe virtyte. Dhe ne këto dëshira i përjetojmë me bukurinë e lirisë, e kulturës, e cila nuk njeh e nuk pranon kufij. Recitimet përshëndetëse të tre poetëve, tre përfaqësues, të tre kufijve artificial, të rrethuar me shqiptarë, kishin një mesazh, mesazhin e paqes, mesazhin e dashurisë njerëzore. Një nga Kosova, Albina Idrizi nga Gjilani, nga Kumanova e Maqedonisë, Sunaj Rahimi, dhe nga Lugina e Preshevës, Bilall Maliqi. Poezitë e një niveli kualitativ me aromën e fjalës shqipe, fjalës së përmallimit, fjalës që si xixëllonjë vere vërtitej në qiellin e kohërave barbare, e digjej si shandan në buzët e etura për dashuri kombëtare të poetëve.
Pastaj nis rrugëtimi drejt kishës së Shën Anës. Atje, ku Ora e Madhe Letrare, Koha e Poezisë, u mbajt në ambientet e brendshme të saj, një simbol humanizmi i botës shqiptare. Një rrugëtim vërtet i lodhshëm, por mbresëlënës. Një lloj pelegrinazhi poetik në këtë cep të Shqiptarisë, ku në çdo majë kodre, dru e gur ka një histori për të treguar, një këngë për të kënduar, një mesazh trimëror për tua përcjellë kohëve dhe breznive Rruga gjarpëronte kodrës nën freskinë e gjelbërimit. Buzë saj jeshilonte bari e aty- këtu tufëza lule e diku më tutje pemët e larta në një virgjëri shekullore me shkëlqimin e peizazhit ishin si një prehje e këndshme dhe dehëse, që të çlodhnin e të magjepsnin, duke e zbutur efektin e lodhjes së këmbëve, teksa ngjiteshin. Janë mbi dy kilometra rrugë më këmbë. Ajri i bymyer nga lagështira, retë e dielli që shfaqeshin në të çarat e tyre dhe ecja në brendësi të këtij peizazhi, të futej në mushkëri me fuqinë e ripërtëritjes. Poeti dhe shkrimtari i mirërnjohur Agim Gjakova, megjithëse mban mbi supe rreth tetë dekada jetë dhe gjashtëdhjetë vite krijimtari, ecën si djalë i ri dhe nuk pushon së rrëfyeri për mrekullitë e botës shqiptare. Nuk mungon në asnjë veprimtari poetike e kulturologjike, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, në Maqedoni e Mal të Zi, kudo ku e thërrasin për të ndezur një qiri dashurie, në meshën e bukur të fjalës hyjnore shqipe Kisha e fshehur mes pyllit dhe në një nga kodrat e larta të Karadakut, të magjeps me arkitekturën. Heshtja

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›