NOA ju fton të bashkoheni në peticionin: Vatikani të njohë Kosovën shtet

Tiranë, 2 Korrik 2010 NOA Një peticion për njohjen e Republikës së Kosovës nga Vatikani, si një autoritet kyç për ti hapur rrugën njohjes së shtetit më të ri shqiptar, në një numër vendesh të botës që ende ngurrojnë të njohin Kosovën.
Peticioni që NOA bashkohet dhe ju kërkon të dhuroni pak çaste për ta nënshkruar online, është paraqitur dhe në selinë e Vatikanit.
Ndërkohë një letër sqaruese e detajuar është nënshkruar nga organizatorët e Këshillit për Peticion me subjekt: Njohja e Pavarësisë së Kosovës.
Më poshtë gjeni peticionin e plotë dhe në fjalët link-peticion mund të futeni direkt për tu bashkuar dhe ju me këtë nismë mbarëkombëtare:PETICION
PËR: SHKELQËSINË E TIJ, ATIN E SHENJTË PAPA
BENEDIKTIN XVI NË VATIKAN
NGA: KËSHILLI PËR PETICION
DATA: 01.06.2010
SUBJEKTI: P E T I C I O N PËR NJOHJEN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Petition:
Shenjtëria e Juaj, Ati i Shenjtë - Papa
Benedikti i XVI,
Ne, besimtarët shqiptarë katolikë, që jetojmë në Republikën e Kosovës dhe
jashtë saj, të devotshëm për besim në Zotin tonë, Jezu Krishtin; të denjë për
Fe e Atdhe dhe me një histori mbi 2000 - vjeçare të ruajtjes së këtij
identiteti fetar, si pasardhës të Ilirëve dhe, sot, dëshmitarë të Shën Palit
Apostull, përmes të cilit e pranuam Krishtin në zemrat tona. Popull ky, i cili
gjatë rrugës së tij historike, Kishës Katolike i dha Shenjtër dhe Papë, si Shën
Jeronimin, Shën Niket Dardanin etj., po ashtu Papa Klementin e XI-të, si dhe
një plejadë të tërë klerikësh, të cilët sakrifikuan gjithçka për binomin: Fe e
Atdhe - deri në flijim.
Duke mos cenuar as parimet Ungjillore, e as
ato njerëzore, Ju drejtohemi, Juve Ati i Shenjtë, Shkëlqesisë Suaj, Papa
Benediktit të XVI-të dhe Koncilit Ekumenik në Vatikan, që me rastin e 100
-vjetorit të lindjes E Lumtura Nëna Tereza, të na gëzoni me NJOHJEN e
SHTETËSISË TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, që do të konsiderohej një akt human dhe i
ligjshëm, që do ti bashkohej galerisë së 69- vendeve të Botës të cilat na kanë
njohur.
Republika e Kosovës, pas shumë shekujsh sakrifice dhe flijimi me ndihmën e
faktorit ndërkombëtar fitoi lirinë dhe pavarësinë e saj, që ishte përkushtim i
brezave shekullor të këtij vendi. Në çlirimin e këtij vendi nga një ideologji
shtypëse mori pjesë dhe ndihmoi edhe Selia e Shenjtë, në krye me Papa Gjon
Palin II, i cili dha një kontribut të çmueshëm për lirinë dhe demokracinë e
këtij vendi. Populli i Kosovës, përherë do ti jetë mirënjohës Selisë së
Shenjtë për kontributin që ka dhënë në momentet më të vështira të historisë së
këtij populli.
Kjo mirësi, njohja e Republikës së Kosovës, nga ana Juaj, do të forconte edhe
më tej besimin, tolerancën ndërfetare dhe bashkëjetesën mes popujve në
Republikën e Kosovës!
Ipeshkvia e Republikës së Kosovës, në krye me Imzot Dodë Gjergjin dhe
besimtarët e saj, kudo që gjinden, jemi të bindur që kjo mirësi do të ndikojë
në rritjen e vullnetit për besim dhe në rritjen e numrit të besimtarëve nga
radhët e popullit tonë, kurdoherë Paqedashës!
Shpresojmë që këtë vullnet tonin do ta merrni në konsideratë.
Zoti Ju bekoftë!
Këshilli i Peticionit.