E Diel, 1 Nëntor 2026

NORVEGJI – Komision hetimor parlamentar për çështjen Epstein

OSLO, 10 shkurt /ATSH-AFP/ – Parlamenti norvegjez ka rënë dakord sot për krijimin e një komisioni hetimor të pavarur, me qëllim zbardhjen e lidhjeve të së kaluarës mes të pandehurit për krime seksuale Jeffrey Epstein dhe disa personaliteteve të vendit, raportuan mediet norvegjeze.

Nga princesha Mette-Marit deri te një ish-kryeministër i cili më pas u bë president i Komitetit Nobel, publikimi i fundit në Shtetet e Bashkuara i dokumenteve që lidhen me çështjen Epstein ka nxjerrë në pah lidhje shumë më të ngushta sesa ishte menduar më parë mes financierit dhe figurave të rangut të lartë në Norvegji.

“Është absolutisht thelbësore që të ruhet besimi në diplomacinë norvegjeze, në klasën politike dhe në demokracinë norvegjeze”, deklaroi Per-Willy Amundsen, kryetar i një komiteti parlamentar të ngarkuar me mbikëqyrjen e respektimit të Kushtetutës.

“Shkalla e asaj që është zbuluar javët e fundit është shumë e lartë dhe hedh një dritë të re mbi një sërë ngjarjesh të së kaluarës”, shtoi ai, i cituar nga televizioni publik NRK.

Edhe pse parimi për krijimin e një komisioni hetimor të pavarur është miratuar, mandati i tij, përbërja dhe kalendari i punës mbeten ende për t’u përcaktuar.

Sipas dokumenteve të publikuara së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe të analizuar nga mediet norvegjeze, princesha trashëgimtare Mette-Marit ka shkëmbyer qindra email-e me Epsteinin, shpesh me një ton intim, gjatë periudhës 2011–2014./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›